Kallëzim penal kundër Millo Gjukanoviqit

Podgoricë, 14 mars Pronari i “Atlas grupit”, Dushko Knezheviq pas të cilit Mali i Zi ka nënshkruar fletë-arrest të Interpolit, ka paralajmëruar se do ta padis shefin e shtetit, Millo Gjukanoviq.

Knezheviq, i cili në Mal të Zi kërkohet për kinse malverzime financiare ka deklaruar sot se do të ngrit kallëzim penal kundër presidentit të shtetit dhe liderit të partisë qeveritare, Partia demokratike e socialistëve (PDS). Ai për portalin In4S ka thënë se e akuzon Gjukanoviqin se është “lider i grupit të organizuar kriminal”.

“Kjo me siguri do të shkaktojë tërmet politik në Mal të Zi, pasi do të jetë hera e parë dikush të ngrit kallëzim kundër presidentit të shtetit se është lider i grupit të organizuar kriminal”, ka thënë Knezheviq.

Pronari i “Atlas grupit” ka vlerësuar se largimi i Gjukanoviqit nga pushteti do të jetë shpëtim për Malin e Zi. Gjukanoviq disa herë deri tani i ka demantuar të gjitha akuzat e liferuar nga Knezheviq kundër tij dhe familjes së tij.

Presidenti malazez ka ftuar qytetarët të cilët marrin pjesë në protesta të jetë të kujdesshëm, që të mos keqpërdoren për qëllime politike.