KALKULIMET PËR QEVERINË E RE: Gati ekipet për bisedime

170

Shkup, 3 gusht – Presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Shkup, Kejt Bërns kanë bërë thirrje që Qeveria e re të formohet në afatet e parapara me ligj, shkruan gazeta KOHA. “Qeveria e ardhshme nuk do ta ketë komoditetin të mos i parashtrohen çështje të vështira në 100 ditët e para. Trendet aktuale me virusin nuk do të lejojnë kthim të tërësishëm të ekonomisë në funksionim, ndërsa problemet ekonomike sjellin gjithmonë paqëndrueshmëri dhe pakënaqësi qytetare. Shumë më herët para se t’i fillojmë negociatat me BE-në, do të duhet të fillojmë patjetër me zbatimin praktik të reformave juridike urgjente dhe ta intensifikojmë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Në fund, Qeveria e re do të ketë edhe një detyrë tjetër të komplikuar, sidomos pas një fushate zgjedhore të tillë ku janë shqiptuar akuza të rënda dhe diskualifikime personale të cilat i thelluan edhe më shumë ndarjet midis qytetarëve”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.

Në anën tjetër, ambasadorja amerikane në Shkup, Kejt Mari Bërns, në intervistë për gazetën KOHA, ka thënë se duke pasur parasysh situatën me krizën shëndetësore, liderët e partive politike duhet t’i respektojnë afatet e parapara dhe sa më shpejt t’i formojnë institucionet e vendit. “Ne presim që partitë të mblidhen dhe t’iu përmbahen afateve. Duke pasur parasysh krizën me COVID-19 dhe çështjet e tjera të rëndësishme me të cilat përballet vendi, arritja e marrëveshjes për një Qeveri të re që do të jetë në gjendje të zgjidhë këto çështje, është prioritet”, tha për gazetën KOHA, ambasadorja Bërns. E pyetur për idenë e BDI-së për kryeministrin e parë shqiptar, ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kejt Mari Bërns thotë se sistemi pluralist i Maqedonisë së Veriut mundëson zgjedhjen e kryeministrit me votat e shumicës së deputetëve, pavarësisht përkatësisë etnike.

Ndërkohë, seanca konstituive e përbërjes së dhjetë parlamentare të Maqedonisë së Veriut do të mbahet të martën (sot), nën protokolle të veçanta për shkak të krizës me koronavirusin. Kjo seancë do të zhvillohet sipas protokolleve dhe kritereve paraprake të caktuara nga Komisioni për sëmundje ngjitëse, me qëllim që të parandalohet përhapja e koronavirusit… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)

Comments are closed.