Politikanët shqiptarë nuk ua kanë prishur llogaritë deri më tani liderëve maqedonas, por kësaj radhe – e vërteta është reale se pa faktorin shqiptar nuk ka shtet nacional maqedonas. Me këtë gjendje nuk pajtohen as LSDM, e as VMRO-DPMNE. Po të bëhen burra Ahmeti, Sela, Gashi dhe Kasami dhe dalin me kërkesa të përbashkëta, atëherë do të shihet se shqiptarët nuk paskan qenë vetëm monedhë për ta paguar kusurin, komentojnë analistët arrogancën e refuzimit të kryeministrit shqiptar nga partitë maqedonase
Destan JONUZI
Shkup, 11 gusht – Partive parlamentare u kanë ngelur vetëm edhe katër ditë për të krijuar shumicë të re parlamentare, dhe me këtë – të marrin mandatin për formimin e Qeverisë së re nga presidenti Stevo Pendarovski. Edhe pse partnerë potencial i të dyja partive më të mëdha maqedonase LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, mund të jetë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pa të cilin asnjëra palë nuk mund të krijojë shumicë të re parlamentare, përsëri ka një arrogancë në bisedime në raport me partinë shqiptare. Burime partiake nga LSDM-ja e Zoran Zaevit për KOHA brifojnë se kreu i kësaj partie nuk e kanë ndërmend të bëjë kompromis me postin e kryeministrit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, madje edhe me çmimin që të shkojë në opozitë. Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE në këtë drejtim janë më të rezervuar. Nga kjo parti për KOHA thonë se punojnë në krijimin e shumicës së re parlamentare dhe se për gjithçka do të bisedohet nëse vjen deri te bisedimet me BDI-në.
Profesori universitar Bashkim Selmani vlerëson se kjo qasje e partive maqedonase është mentalitet i vjetër publik, duke mos e njohur faktorin shqiptar si të rëndësishëm. “Politikanët shqiptarë nuk ua kanë prishur llogaritë deri më tani, por kësaj radhe e vërteta është reale se pa faktorin shqiptar nuk ka shtet nacional maqedonas. Me këtë gjendje reale nuk pajtohen as LSDM, e as VMRO-DPMNE. Zaevi, BDI-në e udhëzoi për në opozitë dhe shqiptarëve dëshironte t’ua zgjidhte liderin, por pjekuria e votuesit, gjegjësisht verdikti shqiptarë e dëshmoi të kundërtën. VMRO-DPMNE me nacionalizimin e saj kundër shqiptarëve e shkatërroi ekonominë dhe e vodhi shtetin, pa mos ja prishur partneri saj BDI, prandaj arroganca e tyre e ka këtë gjenezë. Partitë politike shqiptare duhet të bëjnë koalicion të përbashkët dhe të flasin me një qëndrim kundrejt Zavit dhe Mickoskit. Është moment i papërsëritshëm për shqiptarët të mbrojnë dinjitetin kombëtar që deri tash ke qenë i përbuzur nga këto dy parti politike maqedonase”, kështu vlerëson në prononcimin e tij për gazetën KOHA, profesori Bashkim Selmani.
Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politik shqiptar në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani thotë se partitë maqedonase, qoftë LSDM ose VMRO luajnë me partitë politike shqiptare, duke e ditur që ato e kanë synim vetëm pushtetin. “Le të bëhen burra Sela, Gashi, Kasami dhe Ali Ahmeti dhe le të dalin me kërkesa të përbashkëta. Atëherë do të shihni që shqiptarët nuk paskan qenë vetëm monedhë për ta paguar kusurin. Dëshiroj që të gjitha partitë politike shqiptare të bëhen bashkë, vetëm atëherë do të faktorizohen dhe do ta hapin rrugën e mirëfilltë për krijimin e një opozitë të vërtetë. Le ta kuptojnë shqiptarët se maqedonasit kanë institucione që i detyrojnë që partitë e atyre të komunikojnë ndërmjet vete, ashtu sikurse që komunikojnë”, shprehet Pollozhani. Sipas tij, politika shqiptare i ngjanë një “aksham pazari” ku ti duhet ta blesh atë që ka ngelur. “Po u bashkuan shqiptarët, Zaevit, por edhe Mickovskit ua fusin të dyja këmbët në një çizme. Kështu të ndarë punojnë edhe për Zaevin edhe për Mickoskin”, nënvizon Pollozhani.
Ndryshe, Kushtetuta parasheh që presidenti i vendit, në afat prej dhjetë ditëve nga konstituimi i Kuvendit, mandatin për përbërje të Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit i parashtron program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së 44, BDI 15, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet. (koha.mk)