Më shumë se 150 persona janë ende të zhdukur , ndërkohë që zjarret kanë shkatërruar një pjesë të madhe të Kalifornisë veriore. Të paktën 15 banorë janë konfirmuar se kanë të vdekur dhe më shumë se 1,500 shtëpi janë shkatërruar nga zjarret e fuqishme që shpërthyen të dielën. Një nga qytetet më të prekura është Santa Rosa, në veri të San Franciskos, ku të gjitha lagjet duket se janë bërë shkrumb e hi. Sherifi i qarkut të Sonomës tha se 155 persona ende ishin të zhdukur, duke shpjeguar se kjo mund të kishte ndodhur për shkak të ritmit kaotik të evakuimeve. Zjarret janë ndër më të vdekjeprurësit në historinë e Kalifornisë dhe kanë mbërritur deri në jug të San Franciskos, rreth 100 kilometra larg. Më shumë se 17 vatra zjarri kishin djegur rreth 115.000 hektarë tokë, brenda 24 orëve të fundit. Zyrtarët kanë frikë se numri i të vdekurve mund të rritet edhe më shumë.