Mediokriteti i tillë që paketohet si vlerë përfaqësuese është një ushqim i përkohshëm që mund të shuajë urinë e rastit, por kulturës shqiptare në përgjithësi i krijojnë tejngopje me pompozitete që janë shumë larg të qenit realiste e të paanshme. Shqiptarët në Ballkan nuk kanë vetëm politikanë dhe krijues mediokër. Për t’i ofruar ata të tjerët që kanë pak më shumë vlera, nevojitet një qasje tjetër, një menaxhim tjetër kulturor
Nga Emin AZEMI
Bashkëpunimi në mes të shqiptarëve në rajon, bëhet vetëm sa për foto, ndërkohë që në diplomacinë kulturore të Shkupit zyrtar, shqiptarët, megjithatë, gati se janë të përjashtuar. Ka plot lajme nga kultura që tregojnë se filan autori nga Kosova është përfshi në ndonjë antologji poetike, që si përpilues del të jetë ndonjë emër nga Shqipëria. Dhe anasjelltas. Në kalendarin e ngjarjeve kulturore të Shqipërisë e Kosovës, ka gjithashtu një varg manifestimesh e festivalesh bëhen me një organizim të përbashkët institucional.
Në gjithë këtë pasuri aktivitetesh të nduarduarta, mungon kultura e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Edhe nëse përvidhet ndonjë ngjarje, ajo sigurisht është rezultat i njohjeve personale, siç ka ndodhur zakonisht me disa persona nga Maqedonia, të cilët asnjëherë nuk e përfaqësojnë komunitetin e krijuesve dhe artistëve, por e përfaqësojnë vetveten.
Gjithkush e ka të qartë se Tirana e Prishtina e kanë shumë më lehtë të vendosin ura bashkëpunimi për çfarëdo çështje nga fusha të ndryshme, madje duke emëruar edhe zyrtarë nga Kosova në dikasteret qeveritare shqiptare, ndërkohë që metodologjia e bashkëpunimit me shqiptarët e Maqedonisë, jo vetëm që i ka specifikat e veta, ajo i ka edhe hendikepet përcjellëse. Në radhë të parë, burokracitë e Tiranës e Shkupit, më përpara do të parapëlqenin të kontraktojnë marrëveshje që në vete përmbajnë problematika të përgjithshme, pak a shumë kosmopolite, dhe shumë më vështirë do të vendosnin ndonjë bashkëpunim të njëmendët kulturor që prek interesimet dhe fokusimet e shqiptarëve të Maqedonisë.
Prandaj, kërkesa për një vëmendje më të madhe të prodhimtarisë krijuese dhe aktiviteteve kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë në protokollet e bashkëpunimit ndërshtetëror me Shqipërinë, është më se e arsyeshme dhe, madje, e vonuar. Nëse ndokush mendon se ardhjet “ad hoc” e artistëve e krijuesve nga Shqipëria në Shkup e Tetovë, përmbushin nevojat e asaj që kanë nevojë realisht shqiptarët e Maqedonisë, ky në fakt do të ishte shtrembërimi i një gjendjeje që aspak nuk korrespondon me pritjet për një bashkëpunim më substancial.
Ne sikur jemi bërë pjesëmarrës të një histerie kolektive për të përtypur jovlerat që na i servon çarshia maqedonase dhe injoranca shqiptare (e injektuar në politikë). Sikur të kishim prurje më të shumta të vlerave krijuese shqiptare në Shkup, me siguri do të zbeheshin edhe stereotipet për shqiptarët që janë të ngulitura te një pjesë e opinionit maqedonas dhe te shumë diplomatë të huaj. Këta të fundit madje nuk do të kishin nevojë të shkojnë në Ohër “ta shuajnë etjen” për të dëgjuar a shikuar një trupë të shkëlqyeshme artistike shqiptare. Një shërbim të keqafirmimit dhe bashkëpunimit kulturor ndërshqiptar po i bëjnë edhe disa kasnecë të bajraktarizmit nga Maqedonia, të cilët vetëprezantimin e tyre në Tiranë a Prishtinë e vendosin mbi do farë linjash monopolizuese, duke i mëshuar telit të përjashtimit të gjithçkaje që nuk është e rrethit a lobit të tyre krijues. Tashmë është bërë e modës që kasnecët e tillë t’i kenë “mediet e tyre”, “kritikët e tyre” dhe “lavdëruesit e tyre” që prodhojnë “yje të vegjël” në orbitën e madhe rreth së cilës rrotullohet vetëm ylli i tyre i preferuar. Mediokriteti i tillë që paketohet si vlerë përfaqësuese është një ushqim i përkohshëm që mund të shuajë urinë e rastit, por kulturës shqiptare në përgjithësi i krijojnë tejngopje me pompozitete që janë shumë larg të qenit realiste e të paanshme. Shqiptarët në Ballkan nuk kanë vetëm politikanë dhe krijues mediokër. Për t’i ofruar ata të tjerët që kanë pak më shumë vlera, nevojitet një qasje tjetër, një menaxhim tjetër kulturor.