Evis HALILI
Shkup, 21 shkurt – Se si do të shënohet festimi i “Vitit të Skënderbeut” në Maqedoni dhe cilat manifestime do të organizohen me këtë rast – do të varet nga buxheti që do të akordohet nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse Këshilli i ngritur nën patronazhin e kreut të Parlamentit, Talat Xhaferi, është mbledhur dy herë për të caktuar kornizat dhe përmbajtjen e organizimit, akoma nuk dihet se cilat do të jenë të gjitha aktivitetet dhe çfarë do të përfshihen në to.
Zëvendëskryetari i Këshillit, Skënder Asani, pohon se Instituti i Trashëgimisë që është bartës i këtyre aktiviteteve e ka gati programin, i cili është dorëzuar në Qeveri. Se sa aktivitete dhe si do të organizohen ato – do të varet nga buxheti që do të akordojë Qeveria dhe Ministria e Kulturës. Nga ana tjetër, ai shton se shënimi i “Vitit të Skenderbeut” në Maqedoni ka një projekt tepër ambicioz që nuk gjendet në agjendën e festimeve në Shqipëri apo Kosovë. Bëhet fjalë për botimin e një libri për Skënderbeun, vepër kjo e cila për herë të parë do të sjellë të përmbledhura studime nga historianë jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, si maqedonas, amerikanë, e të tjerë të cilët do të prezantojnë dëshmi dhe materiale të panjohura deri tani.
“Ne si Këshill dhe ITSHKSH e kemi hartuar kalendarin e aktiviteteve, koston e tyre dhe presim miratimin. Por për momentin nuk mund të flasim me detaje, pasi mënyra e organizimit do të varet nga buxheti që do të caktohet. Por sido që të jetë – një pjesë të mirë të aktiviteteve ne do t’i realizojmë si Institut. Mund të them lirshëm se krahasuar me Shqipërinë apo Kosovën, ne do të kemi aktivitete shumë ambicioze, siç është promovimi i librit për Skënderbeun, një botim nga autorë të huaj. Po ashtu, planifikojmë edhe organizimin e Javës së Kulturës shqiptare dhe shumë ngjarje të tjera. Në tërësi, ne kemi projektuar një vit me aktivitete”, thotë për KOHA, Asani.
Edhe pse “Viti i Skënderbeut” u shpall si një vit i manifestimeve mbarëshqiptare, deri tani nuk ka pasur ndonjë koordinim për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta për datat madhore, si 110 vjetori i Kongresit të Manastirit, që gjendet edhe në agjendën e festimeve të qeverisë së Shqipërisë. Në Maqedoni Viti i Gjergjit nisi më 17 janar, me shënimin e përvjetorit të 550 të vdekjes së Skënderbeut dhe promovimin e pullës postare me imazhin e heroit kombëtar.
Aktivitete të tjera që planifikohen (më 2 mars) është 574 vjetori i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, 140 vjetori i Lidhjes se Prizrenit (në muajin qershor), 140 vjetori i lindjes së Hasan Prishtinës, 110 vjetori i Kongresit të Manastirit, por edhe data të tjera, si 90 vjetori i largimit të Nënë Terezës nga Shkupi, që do të shënohet edhe me ekspozita dhe publikime për historinë e shqiptarëve dhe familjeve katolike të Shkupit. (koha.mk)