Evis HALILI
Shkup, 6 shtator – Përvjetori i 550 i ndarjes nga jeta të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, 110 vjetori i Kongresit të Manastirit…, janë disa prej datave të rëndësishme që do të shënojnë vitin 2018, shkruan gazeta KOHA. Se cilat prej tyre do të jenë pjesë e Kalendarit të shënimeve shtetërore që përfshin ngjarje dhe personalitete të spikatura që kanë rëndësi të posaçme për kurimin dhe afirmimin e vlerave të trashëgimisë historike dhe kulturore do të mësohet nga muaji dhjetor. Komisioni i Kulturës në Parlament akoma s’ka filluar punën për përgatitjen e kalendarit të datave jubilare që do të shënohen gjatë vitit 2018, edhe pse muaji shtator është periudha kur veçmas shqyrtohen kërkesat e arritura nga institucione të kulturës, arsimit, shoqata e individë. Komisioni pritet që mbledhjen e parë ta mbajë javën e ardhshme dhe më pas të dërgojë ftesat zyrtare për të aplikuar. Kështu bën me dije nënkryetari i Komisionit të Kulturës, Rexhail Ismaili, sipas të cilit deri në dhjetor do të duhet të jetë gati lista me datat e propozuara për këtë vit.
“Çështja e kalendarit të përvjetorëve të rëndësishëm që do të duhet të shënohen gjatë vitit 2018 u prolongua, ashtu si edhe shumë çështje të tjera. Mbledhjen e parë do ta bëjmë javën e ardhshme dhe ashtu si edhe vitet e kaluara do t’i dërgojmë kërkesa institucioneve shtetërore, të arsimit, kulturës e të tjerë, universiteteve, komunave…, që të bëhen pjesë me propozimet e tyre. Edhe pse jemi me vonesë besoj se kemi kohë deri në fund të vitit që lista të kalojë të gjitha procedurat parlamentare”, thotë për KOHA, Ismaili. Nuk dihet nëse edhe këtë vit do të përsëritet problemi i njëjtë me propozimet që vijnë nga pjesa shqiptare, kur për shkak të numrit të vogël dhe aplikimeve me vonese Komisioni i Kulturës është dashur që ta shtyjë afatin e mbylljes së aplikimit. Ndërsa problemi më i madh i atyre që aplikojnë dhe marrin përsipër organizmin e aktiviteteve është sigurimi i mbështetjes financiare nga më shumë burime, kryesisht ato private. Duke sjellë kështu që disa manifestime jo vetëm të mos mbahen në formën e planifikuar, por edhe të anulohen. Pasi edhe pse Parlamenti e miraton Programin, në ligj nuk parashikohet asnjë mekanizëm që ta detyrojë ekzekutivin për të ekzekutuar këto vendime.
Si një prej datave më të rëndësishme për pjesën shqiptare është 110 vjetori i Kongresit të Manastirit dhe përcaktimi i alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe (14-22 nëntor), datë kjo që supozohet se do të gjendet në listën e datave të rëndësishme historike që do të shënohen vitin e ardhshëm. Këto dy data, së bashku me 105 vjetorin e Ditës së Flamurit dhe 574 vjetorit të hyrjes së Skënderbeut në Krujë, si edhe 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit do të jenë pjesë e kalendarit të shënimeve në Shqipëri. Pak ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama periudhën nga nëntori 2017-nëntor 2018 e ka shpallur si Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, me katër data historike që do të kremtohen në mënyrë specifike. Një Komision i Posaçëm është ngritur për organizimin dhe promovimin e këtij viti, ku përveç këtyre datave në do të kremtohen edhe ngjarje e figura të historisë kombëtare. (koha.mk)