Delvina KËRLUKU
Nebi Dervishi u lind më 1.12.1953, në Livadhi të Strugës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në fshatin Dollogozhdë, të mesme në Strugë, ndërsa studimet universitare në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Historisë, në Universitetin e Prishtinës, ku u diplomua më 3 korrik 1978. Në vitet 1979 – 1981 në Universitetin e Prishtinës ndoqi studimet pasuniversitare. Pas ngjarjeve (demonstratave) në Kosovë, më 1981 u diferencua nga procesi edukativ- arsimor në Gjimnazin e Strugës, si dhe iu pamundësua ta mbrojë tezën e magjistraturës “Ohri, Struga e Dibra në vitet 1912-1913”. Studimet për doktoraturë i vazhdoi në Universitetin e Tiranës, në vitet 1994 – 1997, ku më 10 korrik 1997 e fitoi gradën: doktor i shkencave të historisë. Pas kryerjes së studimeve, në vitet 1978-1980, punoi në gjimnazin e Strugës. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, për ca kohë përsëri punoi në këtë vatër arsimore, por, më 13 qershor 1981, pas ngjarjeve në Kosovë, së bashku me shumë kolegë do të diferencohen nga procesi edukativ-arsimor. Pas diferencimit, në vitet 1981-1990, për të siguruar ekzistencën kryen punë të rënda fizike, duke u marrë edhe me punët e bujqësisë. Pas pluralizmit, në vitin 1990 inkuadrohet në formimin e Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), kur edhe do të punësohet në zyrën e PPD-së, dega në Strugë, në vitet 1991-1998. Në vitet 1998-2004 do të rikthehet profesor në QAM “Niko Nestor” në Strugë. Ndërkaq, nga viti 1996 punonte edhe në Universitetin e Tetovës, kurse nga viti 2004, kur edhe u legalizua ky universitet, kaloi në marrëdhënie të rrregullt pune në Fakultetin Filozofik të UT-së, Dega e Historisë. Është autor i shumë veprave. Jeton me familjen në Livadhi të Strugës.
KOHA: z. Dervishi, gjatë kohës keni thënë fjalën tuaj mbi historinë e popullit shqiptar. A ju kujtohen ditët tuaja të para si historian? Çfarë ka ndikuar te ju që zgjodhët të tregoni historinë ashtu sikundër ka ndodhur?
DERVISHI: Gjithsesi se më kujtohen. Përmbysja e madhe e viteve ’90-të të shekullit të kaluar, në Shqipëri, po edhe në Kosovë e në Maqedoni, shtroi para elitës intelektuale të vendeve respektive nevojën e një rishqyrtimi të thellë të së kaluarës, e cila iu nënshtrua një kritike të ashpër në të gjitha aspektet. Kuptohet, njëra nga fushat më të kontestuara të asaj trashëgimie bolshevike të mendimit shkencor shqiptar do të ishte, jashtë çdo dyshimi, edhe historia e popullit shqiptar. Debatet në këtë temë u bënë tepër të nxehta, sepse në pozicionet që mbronin palët në konflikt, ndërhynin shumë faktorë joshkencorë, si: rreshtimi politik, përkatësia familjare, ndikimet e shkollimit të huaj, simpatitë vetjake subjektive, sedra e sëmurë për të shpëtuar me çdo kusht kontributet studimore të dyshimta, të dhëna gjatë viteve të monizmit etj. Këto rrethana kanë penguar organizimin e një pune serioze për të “kruar” retushimin e historisë të bërë me aq zell gjatë 50 viteve të një komandimi të rreptë të mendimit nga njerëz me aftësi intelektuale të kufizuar, punë që do të sillte nxjerrjen më pas të së vërtetës, me tërë shkëlqimin e saj. Veç se, në këtë rrugë të fisme korrektuese, një rol veçanërisht pengues kanë luajtur edhe disa individë të veçantë që fushën e historisë e kanë parë si një terren të favorshëm për t’u afirmuar në vitrinën e elitës shqiptare, si yje të madhësisë së parë. Duke mohuar fortë çdo gjë që thuhej e shkruhej dikur, ata ndërmorën një veprim po aq të dëmshëm e të dënueshëm, sa ai i bolshevikëve tanë të vjetër, duke retushuar historinë e shqiptarëve. Dyzet vjet më parë, akademik Ali Hadri, në leksionet nga Historia e popullit shqiptar na mësonte se, “historia nuk bëhet në kurriz të të tjerëve”, dhe se “historia pa të vërtetën është treg plaçkash”. Këto qenë momentet që unë personalisht zgjodha të tregoj historinë ashtu sikundër ka ndodhur, sepse historia nuk mund të shkruhet njëanshëm, pa fakte e argumente, sepse nuk do t’i rezistojë kritikës historiografike.
KOHA: Si historian keni bërë karrierë të gjatë, që do të thotë nëpërmjet momenteve historike keni përjetuar komente që kanë lënë gjurmë në jetën tuaj, por edhe kritikë, valë dëshpërimi e hije trishtimi. A mund të na përshkruani momente nga jeta e juaj?
DERVISHI: Janë të shumta momentet nga jeta ime që i kam përjetuar në vitet e kaluara dhe, për t’i elaboruar ato, nevojitet shumë hapësirë. Me këtë rast, unë vetëm do t’i evidentoj në mënyrë narrative (përshkruese) vetëm momentet më të rëndësishme që kanë lënë gjurmë në jetën time, si: Demonstratat e vitit 1968 (isha nxënës në gjimnazin e Strugës 1968), të cilat qenë shtytës në luftën për çlirim e bashkim kombëtar, të cilat kulmuan me demonstratat e 1968 në shumë qytete të Kosovës, si edhe në Tetovë, një muaj më vonë (22 – 23 dhjetor 1968). Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ishte një moment i dytë në jetën time, tanimë si mësimdhënës i historisë në gjimnazin e Strugës, ku edhe u diferencova së bashku me shumë kolegë të tjerë. Këto demonstrata ishin një hallkë e rëndësishme në përpjekjet për liri të popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera etnike shqiptare në ish Jugosllavinë e Titos. Por, ka edhe shumë momente tjera.
KOHA: Rinia e juaj kishte barrikada ideologjike?
DERVISHI: Po, është e vërtetë se brezi im kishte barrikada ideologjike. Është e njohur se fitimtarët në të kaluarën e shkruanin historinë. Duke seleksionuar një numër faktesh që u hynin në punë për të “argumentuar” tezat e veta dhe duke lënë në heshtje faktet që bien ndesh me logjikën e tyre, ata tentonin që interpretimin e vet të ngjarjeve t’ua imponojnë të gjithëve. Kjo logjikë totalitare e ideologjike ishte atëherë, por sot, mendoj se kjo ka perënduar një herë e përgjithmonë. E vërteta për të kaluarën, sado që dikush mundohet t’ia humb gjurmët, del në shesh edhe më me forcë, se sa vetë forcat deformuese të historisë. Në fund, kalemxhinjtë e historisë së porositur, përjetojnë një përfundim të turpshëm. Një fat të tillë e përjetuan dhe do ta përjetojnë të gjithë interpretuesit titistë të së kaluarës (përfshi këtu edhe pseudo–akademikun Bllazhe Ristevski me shokë, me të ashtuquajturën “Enciklopedi maqedonase”, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.
KOHA: Sfidat e arsimi shqip në Maqedoni janë të shumta, megjithëse, duhet thënë drejtë, viteve të fundit ato janë pakësuar në disa segmente të rëndësishme. Ju jeni profesor një kohë të gjatë në Universitetin e Tetovës, cilat kanë qenë sfidat dje dhe cilat janë sot në arsim?
DERVISHI: Arsimi është çështje esenciale e çdo shoqërie, për më tepër, është nevojë dhe domosdoshmëri, një e drejtë elementare e njeriut, e cila është e legalizuar dhe institucionalizuar edhe me Deklaratën universale për të Drejtat e njeriut dhe me akte të tjera ndërkombëtare dhe konventa për liritë dhe të drejtat e njeriut. Në të gjitha shoqëritë që pretendojnë të jenë civilizuese, që pretendojnë t’i përfillin parimet e njohura të demokracisë, shkollimi dhe arsimi në gjuhën amtare, në të gjitha nivelet, nuk problematizohet e aq më pak suspendohet. Por, kjo ndodhi me shoqërinë shqiptare në Maqedoni në shekullin e kaluar, e në mënyrë intensive dhe shprehëse pas vitit 1981. Konstatimi se sfidat e arsimit shqip në Maqedoni janë të shumta dhe sot, ku me të drejtë viteve të fundit, paksa në disa segmente të rëndësishme, ato nuk janë eliminuar në tërësi. Përkundrazi, arsimi shqip në Maqedoni është në një humnerë dhe e ka kapluar si gangrenë, sidomos me aplikimin e disa reformave në arsimin fillor e të mesëm (mësimi interaktiv) dhe me Sistemin e Bolonjës, sepse dorën në zemër, ky sistem më duket se ka shumë mangësi, të cilat reflektohen në sistemin tonë arsimor në të gjitha nivelet.
KOHA: SHHSHM ka reaguar ndaj provokimeve dhe qëndrimeve ofenduese për shqiptarët, përpilimin e teksteve në gjuhën shqipe, për kultet, muzetë, përmendoret?
DERVISHI: Që pas themelimit në vitin 1992, Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni e ka ngritur zërin e protestës kundër qëndrimeve dhe provokimeve ofenduese për shqiptarët, ka kërkuar me ngulm ndryshimin e planeve dhe programeve mësimore për lëndën e historisë në shkollat fillore e të mesme; ka reaguar ashpër ndaj përdhosjes dhe zhbërjes së trashëgimisë kulturore materiale e shpirtërore, siç ishin rastet me Kalanë e Ohrit (2002), Kalanë e Shkupit (2007-2008), shtëpinë e Nënë Terezës në Shkup, vendin e Xhamisë Burmali – në Shkup; botimin e Enciklopedisë “Mianova” (2006), e redaktuar nga Jovan Pavllovski dhe që i parapriu ,,Enciklopedisë Maqedonase” të Bllazhe Ristevskit, më 2009; ka reaguar për projektin ,,Shkupi 2014”, etj., e sidomos ndaj “gërmimeve” në Kalanë e Shkupit, ku kryehajduti Pasko Kuzman me shokë, në cilësinë e drejtorit për ruajtjen e Monumenteve dhe për t’ia humbur gjurmët për gjithmonë Skupit antik dardan.
KOHA: Në tekstet shkollore, përveç se minimizohet pjesa e shqiptarëve, e matur edhe me njësi mësimore, shtrembërohen rëndë edhe të vërtetat historike. kush do të duhet t’i del zot historisë sonë kombëtare?
DERVISHI: Është fakt i pamohueshëm se në tekstet shkollore minimizohet dhe përdhoset historia e popullit shqiptar, jo vetëm me njësitë mësimore, por edhe shtrembërohen rëndë faktet, në disa raste bëhen edhe përpjekje tinzare për t’u mbuluar të vërtetat historike. Nuk shkruhet historia duke e fshirë dhe falsifikuar të vërtetën. Deri në Luftën e Parë Ballkanike 1912/1913, shqiptarët kanë një histori të përbashkët. Historia e popullit shqiptar duhet rishikuar, duhet ribërë, sepse afirmimi i vlerave historike është detyrë e ngutshme. Në kuadër të rivlerësimit patjetër duhet të gjejnë vend figurat, ngjarjet, fenomenet e historisë kombëtare, që më parë janë mënjanuar sipas kriterit klasor e ideologjik, apo rajonal, ose janë degraduar apo shtrembëruar nga historianët sipas porosive e udhëzimeve partiake e politike. Se kush duhet t’i dalë zot historisë sonë kombëtare, kuptohet se u takon të gjithëve pa përjashtim, e në radhë të parë Akademive të shkencave në Tiranë e Prishtinë, Instituteve të Historisë e Albanologjisë, në Prishtinë e Tiranë, Departamenteve të Historisë, në Tiranë, Tetovë e Prishtinë. Institutit të Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore në Shkup, pra, institucioneve të specializuara, të cilat i kanë të gjitha mekanizmat për të ribërë dhe rishikuar historinë që nga e para, të pranueshme dhe reale. Pra, rishkrimin e historisë shqiptare duhet ta bëjnë grupe ekspertësh të fushës së historisë dhe albanologjisë, nga të gjitha trevat shqiptare, me çka do të mënjanohet ndikimi i përcaktimeve ideologjike e provinciale.
KOHA: Si i gjykoni tezat serbe, se gjoja shqiptarët kanë ardhur në Kosovë dhe në Maqedoni pas luftërave austro – turke dhe se qenkan vendosur këtu falë disa privilegjeve, që gjoja shqiptarët paskan pasur në kohën e perandorisë osmane?
DERVISHI: Në këto 100 e sa vjetët e fundit, kur historia shpeshherë është në shërbim të politikave afatshkurta, ajo është keqpërdorur, sidomos në Ballkanin e trazuar, ku interesat e shteteve të krijuara më përpara i nëpërkëmbin ato të popujve fqinjë. Nuk kursehen në këtë betejë, gjithnjë të humbur ende pa e nisur, për të përdorur “teza” e “argumente historike”, për të ngritur teori dhe rivendikime territoriale në dëm të të tjerëve. Një tezë e tillë është ajo mbi ardhjen e shqiptarëve nga Kaukazi, diku nga shek. X e XI, meqenëse atëherë përmendemi për herë të parë me emrin “albanoi – arbanoi” në trojet e sotme, sipas burimeve bizantine. Përgjithësisht, historiografia shqiptare dhe jo vetëm ajo, e ka refuzuar këtë pseudo-teori në mënyrë intuitive, pa u hyrë në brendësi të dhënave historike që lidhen me ,,albanët” e Kaukazit. Për ne, me të drejtë ka mjaftuar teza e prejardhjes ilire dhe autoktonia e shqiptarëve, vazhdimësia e gjuhës dhe të qenit e saj indoevropiane, e cila vërtetohet nga shumë disiplina shkencore. Lidhja e sajuar keqdashëse e shqiptarëve me ,,Albania” e Kaukazit nuk qëndron, sepse nuk ekziston as lidhja më e vogël ndërmjet shqiptarëve (albanët – arvanitët) me “aluanët” (albanët e Kaukazit).
Edhe teza tjetër serbe, se “shqiptarët gjoja kanë ardhur në Kosovë e Maqedoni pas luftërave austro – turke 1689 dhe se qenkan vendosur këtu falë privilegjeve që gjoja shqiptarët paskan pasur në kohën e Perandorisë Osmane, është sajuar dhe stisur nga Akademia Serbe në “Francuska 7“, por që është përvetësuar edhe nga Akademia Maqedonase e B. Ristevskit, ka qëllime shoveniste, për t’i paraqitur shqiptarët se janë ardhacakë, se janë të vendosur në vendet që më parë kinse kanë qenë të banuara me sllavë. Historiografia sllave bazohet në mitet e jo në dokumente të shkruara ose në materiale arkeologjike.
KOHA: Populli shqiptar ka përqafuar tri fetë: myslimane, ortodokse dhe katolike, por secili është e respektuar nga të gjithë të tjerët. A qëndrojnë të ndara feja dhe kombi për popullin shqiptar?
DERVISHI: Siç është tani më e njohur, një nga religjionet (fetë) kryesore në botë është edhe islami. Në bazë të dokumenteve arkivore, islamizimi në viset shqiptare filloi të përhapet me vendosjen e sundimit osman, pra në fund të shek. XIV dhe në fillim të she. XV. Fisnikëria feudale shqiptare ishte e para shtresë shoqërore që e përqafoi islamizimin. Synimi për t’i ruajtur sa të ishte e mundur interesat e veta ekonomike dhe politike, në kushtet e reja të sundimit osman, u bë një ndër arsyet kryesore që e shtynë atë drejtë përqafimit të islamit. Rënia në fillim në pozita vasaliteti kundrejt pushtetit osman, dërgimi i pinjollëve të saj si pengje në Stamboll, ku më pas ndërronin edhe fenë, edukoheshin me frymën e besnikërisë ndaj Islamit e Sulltanit, përgatiteshin si kuadro të niveleve të ndryshme të administratës osmane, si dhe inkuadrimi në sistemin osman të timarit, ishin mekanizmat me ndikim të fuqishëm në islamizimin dhe osmanizimin e familjeve fisnike shqiptare gjatë shekujve të parë të sundimit osman në viset shqiptare. Konvertimi i popullit shqiptar në besimin islam, sipas dokumenteve arkivore, do të bëhet masovikisht në gjysmën e dytë të shekullit XVIII dhe në fillim të shek. XIX, në kohën e shthurjes së sistemit të timarëve dhe zanafillës së sistemit të “çifliqeve”. Është padiskutim e vërtetë se shqiptarët gjatë sundimit osman, gadi 500 vjeçar, zhvilluan kryengritjet të njëpasnjëshme kundër administratës osmane, në të cilat do të marrin pjesë edhe popullata e krishterë. Dhe për këtë flasin edhe dokumentet angleze, franceze, austriake, etj., kur bëjnë fjalë për shqiptarët e Rekës së Epërme, të Malësisë së Tetovës gjatë Lidhjes së Prizrenit etj. por edhe më vonë.
Pyetjes që shtroni Ju, “A qëndrojnë…” më mirë i përgjigjet rilindësi i madh Vaso pashë Shkodrani (Pashko Vasa) me vargjet e poezisë “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” (1880), e cila u bë hymn gjatë kohës së Lidhjes së Prizrenit, me dashurinë për atdheun që dergjej nën thundrën e huaj, me notën e dhembjes për të. Me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për t’i kapërcyer ndasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol të madh për zgjimin e vetëdijes kombëtare në mesin e shqiptarëve. Këto dy vargje: “
“Mos shihni kisha e xhamia,
se feja e shqiptarit është shqiptaria…”, nuk kërkojnë koment.
Por, edhe klerikët myslimanë përdorin thënien: “Pa vatan, s’ka iman”. Këto shembuj i japin përgjigje me pak fjalë pyetjes suaj.
KOHA: Çfarë mund të na thoni për ilirët, pasardhësit e të cilëve janë shqiptarët?
DERVISHI: Ilirët ishin një popullsi e madhe e lashtë që jetuan në tërë hapësirën e Gadishullit Ballkanik të sotëm, të njohur dikur si Gadishulli Ilirik. Ata shtriheshin nga Gadishulli i Istrisë, në bregun e djathtë të lumit Sava në Veri, në luginat e sipërme të Margut (Moravës Jugore) dhe lumit Aksios (Vardar), malet Boion (vargmalet e Pindit) në lindje e gjer në Gjiun e Artës (në jug), ndërsa në perëndim deri në detin Adriatik dhe detin Jon. Ilirët u formuan në një proces të gjatë mbi bazën e popullsisë autoktone pellazgjike të epokës së neolitit, pas ardhjes së popullsisë indoevropiane në fund të mijëvjeçarit të III para erës sonë. Tiparet etnike të popullsisë së re, që lindi si rrjedhim i simbiozës dhe shkrirjes së tyre, u ngjizën gjatë periudhës së mesme të epokës së bronzit të mesëm, si rrjedhim i zhvillimeve ekokonike-shoqërore. Fiset e veçanta ilire, Pajonët, Dardanët e Thespotët përmenden në epet “Iliada” e “Odisea” të Homerit. Emri i përbashkët Ilir në dokumentet e shkruara del vetëm në shek. V p.e.s. tek Herodoti, si përgjithësim i emrit të një fisi që banonte në shpinë të Dyrrahut deri në Kosovës, ku u krijua bërthama e parë e shtetit Ilir. Fiset kryesore ilire ishin: Histrët, Japodët, Liburnët, Desidiatët, Dalmatët, Breukët, Autoriatët, Labeatët, Dardanët, Paionët, Pellagonët, Ardianët, Parthinët, Dasaretët, Enkelejtë, Taulantët, Atintanët, Lynkestët, Thespotët, Molosët dhe fise të tjera. Sipas Akademik Aleksandër Stipçeviq, ilirologu me famë botërore, fisi më jugor ilir në Ilirinë e Jugut ishin Maqedonët e lashtë, të cilët aty nga shek. IV p.e.s. u asimiluan. Gjatë shek. VI –V p.e.s. lindën edhe shtetet Ilire, i cilët në shek. IV – II p.e.s. u bënë një faktor i rëndësishëm politik në këtë gadishull dhe më gjerë. Me Republikën Romake shteti Ilir zhvilloi tri lufta të mëdha. Në dy luftërat e para me Romën (229-218 p.e.s.) shteti Ilir u thye dhe u kufizua në Veri të Matit. Me Mbretin Gent (186-158 p.e.s.). Shteti Ilir filloi përsëri politikën kundër Romës dhe u fut në aleancë me Maqedoninë e Dardaninë. Me betejën e Shkodrës (168 p.e.s.), ushtritë ilire u thyen dhe shteti Ilir u shua. Ilirët vazhdojnë të përmenden deri në shek.VI të e.s., si popullsi me tipare të veçanta etnike. Nga radhët e tyre dolën personalitete të shquara të Perandorisë Romake e Bizantine, si gojëtarit Asin Epikadi dhe juristi Prisku, perandorët romakë të shek. III e IV të erës së re, si Klaudi II, Aureliani, Diokleciani, Maksimin Duaz, Konstanci, Konstandini i Madh, Juliani, Justini, Justiniani, etj. Kalimi nga antikiteti në Mesjetë u karakterizua nga ndryshime e përmbysje të mëdha politike, sociale – ekonomike, kulturore dhe etnike në botën e vjetër. Ashtu si trevat e tjera ballkanike, edhe viset ilire nuk iu shmangën goditjeve të popujve “barbarë” që e kapërcyen kufirin e Danubit dhe depërtuan thellë në drejtim të jugut. Fiset barbare që depërtuan në Ilirik gjatë shek. V – VI mbollën kudo shkatërrime e pasiguri. Dyndjet sllave u shoqëruan me një dukuri të re, atë të kolonizimit sllav. Perandoria Bizantine u detyrua të lejonte ngulitjen e masave sllave në vise të ndryshme të Ballkanit. Për rrjedhojë, në fillim të shek. VII, mjaft treva si Dakia, Maqedonia, Thrakia e Peleponezi pësuan rrudhje të ndjeshme. Masa sllave u vendosën në viset e Ilirisë Veriore, kurse në provincat ilire të Prevalit, të Dardanisë, të Epirit të Ri dhe Epirit të Vjetër pati infiltrime grupesh të vogla sllave, që me kohë u tërhoqën ose u asimiluan, sidomoqoftë, burimet historike dhe gjetjet arkeologjike e përjashtojnë kolonizimin sllav të këtyre katër provincave që përfaqësojnë hapësirën etnike shqiptare gjatë mesjetës e deri në kohët e reja. Në Preval, i cili në mesjetë u quajt me emrin Diokle e Zetë, në Dardani (Kosovë), në Maqedoninë e sotme Perëndimore, në Epirin e Ri (Albanon), në Epirin e Vjetër (Shqipëria Jugore) popullsia autoktone shqiptare përbënte një masë kompakte dhe homogjene. Në të gjitha këto shtrirje gjeografike të përfaqësuar nga provincat e Prevallit, të Dardanisë, të Epirit të Ri e të Vjetër, që njihet si atdheu mesjetar i shqiptarëve, mbi bazën e elementit të vjetër ilir u zhvillua procesi etnogjenetik i shqipes me ilirishten, si dhe në marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e vjetra greke, latine e thrako – rumune. Shkenca ka arritur në përfundim se cilësitë e hershme të asaj gjuhe, gjuhës së Arbërit, kanë populluar një trevë që ishte në kontakt me të tria këto grupe gjuhësore dhe që, për rrjedhojë, përputhet me trevën ku ata banojnë sot. Ky përfundim mbështetet edhe nga të dhënat arkeologjike, kultura e hershme materiale e shqiptarëve (arbërve), e njohur përgjithësisht me emrin “Kultura e Komanit”, sipas fshatit ku në vitin 1898 u gjetën gjurmët e saj të para, flet qartë për vazhdimësinë e traditave ilire dhe për marrëdhëniet e pandërprera me kulturën romane – bizantine të epokës së kapërcimit nga lashtësia në mesjetë. Së fundi, vetëm emri i shqiptarëve të hershëm, i arbërve (lat. Albani, greq. Arbanoi), e ka origjinën te fisi ilir me të njëjtin emër, që Ptolomeu, gjeografi i shek. II – të e lokalizoi në viset midis Durrësit e Dibrës. Burimet historike tregojnë se viset shqiptare, gjatë mesjetës shtriheshin nga Gryka e Kotorrit në veri, deri në Gjirin e Artës në jug. Të gjitha ato treva në atë kohë përfshiheshin nën emërtimin Arbëria (Albania).
KOHA: Për historinë shqiptare kanë folur e kanë shkruar së fundi Aleksandër Stipçeviq e Kristo Frashëri – që tashmë janë të ndjerë, por edhe shumë figura emblematike të ilirologjisë. Është kjo një barrikadë për anti-shqiptarët?
DERVISHI: Është e saktë se për historinë shqiptare kanë folur e kanë shkruar akademikët Aleksandër Stipçeviq e Kristo Frashëri / me të cilët pata fatin që të njihesha personalisht, të bashkëbisedoja për shumë probleme të historisë kombëtare, e në veçanti të fushës së ilirologjisë. Plejadës së historianëve e albanologëve që janë marrë e kanë shkruar për problemin e historisë shqiptare dhe etnogjenezës së tyre, do t’i kisha shtuar edhe emrat e akademikëve e studiusve: Ali Hadri, Zef Mirdita, Eqerem Çabej, Masar Kodra, Ali Vishko, Shukri Rrahimi, Muzafer Korkuti, Reshat Nexhipi, etj., të cilët në veprimtarinë e tyre tërë jetën u morën me këtë problematikë. Nuk ka pikë dyshimi se këta studiues me veprat e tyre janë një barrikadë për antishqiptarët, por kjo nuk mjafton. Duhet vazhduar vepra e tyre, sepse kundërshtarët nuk flenë, ata për çdo moment trillojnë e stisin gjëra të paqëndrueshme. Personalisht, me shumicën e studiuesve të lartpërmendur kam pasur fatin që jo vetëm të takohem, t’i njoh për së afërmi, por edhe të konsultohem për çdo gjë që kishte të bëjë me historinë shqiptare dhe etnogjenezën tonë, që nga Ilirët. Të gjithë pa përjashtim dëshmonin se shqiptarët janë pasardhës së ilirëve dhe gjuha shqipe është pasardhëse e ilirishtes.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.