Vetëm ne shqiptarët po mendojmë se sa më shumë parti politike, aq më mirë për demokracinë. Në fakt, demokracia nuk fiton asgjë nga ky inflacion kakofonish politike, sepse sa më e madhe të jetë kakofonia politike, fukarallëku i ideve shkon në kurriz të veprimeve të pakoordinuara
Nga Emin AZEMI
Pas hyrjes së Maqedonisë në NATO ndikimi rus mund të bie dhe me këtë edhe rreziku për të qenë pre e konflikteve të pambaruara gjeopolitike. Por, një rrezik tjetër që nuk duket se do të kalojë lehtë, është kultura politike, e cila as nuk blihet, as nuk imponohet. Ajo kultivohet për çdo ditë, jo lehtë dhe me shumë mund e sakrifica. Kulturë politike nuk do të thotë të respektosh rregullat elementare të demokracisë, ose frytet që dalin pas çdo procesi zgjedhor. Kultura politike shkon përtej këtij kuptimi skolastik.
Për një individ mund të themi se ka kulturë të lartë politike, atëherë kur me vetëdije të plotë vendos të rreshtohet pas një grupacioni apo opsioni politik, por me kush që ky impenjim i tij të mos jetë imponim për shkak të favoreve të çastit që sjell politika.
Për një individ mund të themi se ka kulturë të lartë politike, edhe atëherë kur ai pa fije ngurrimi kritikon hapur veprimet dhe qëndrimet e partisë së cilës i takon.
Gjithashtu kultura politike mund të përfshijë edhe kuptime të tjera që njerëzit zakonisht i praktikojnë, sa herë që duan të mbeten gjallë në kujtesën e pasuesve. Por, ajo çka nuk po arrihet të tejkalohet te ne është papërgatitja e individëve e grupimeve të caktuara politike për të bërë një lidhje të fortë midis kulturës politike dhe interesave kombëtare/shtetërore.
Nëse ndiqni debatet televizive ditëve të fundit, ku temë qendrore, bie fjala, është (mos)heqja e taksës 100% nga ana e Qeverisë së Kosovës, do të vëreni një dikotomi totale qëndrimesh politike që kanë në esencë pandryshueshmërinë e mentalitetit partiak.
Në anën tjetër, ekziston një anarki pikëpamjesh e orientimesh sa i përket veprimit politik shqiptar në Maqedoni. Derisa në arealin politik maqedonas kemi dy opsione dominuese politike-ideologjike, në atë shqiptar kemi një livadh të gjerë idesh e pikëpamjesh, të cilat vazhdojnë të “konsumojnë” ujemin e një drithi ende të pa bluar mirë. Për rrjedhojë, del që maqedonasit të demonstrojnë kulturë më të lartë politike se shqiptarët dhe kjo nuk ka si të mos lidhet edhe me vetëdijen individuale e grupore. Rezultati i kësaj kulture dhe vetëdije politike s’ka si të mos reflektohet pastaj në parametrat praktikë të jetës edhe institucionale, por edhe private. Sepse privatësia te ne është ngushtë e lidhur me publiken, kurse një individ i pasistemuar insitucionalisht paraqet shenjën e parë të avarisë së sistemit. Sikur avaria të reduktohej vetëm në suaza të defekteve të herë pas hershme të një shoqërie, kjo do të tolerohej disi, por kur avaria kalon në anarki, atëherë ajo shoqëri nuk është në gjendje të përballojë krizat.
Vetëm ne shqiptarët po mendojmë se sa më shumë parti politike, aq më mirë për demokracinë. Në fakt, demokracia nuk fiton asgjë nga ky inflacion kakofonish politike, sepse sa më e madhe të jetë kakofonia politike, fukarallëku i ideve shkon në kurriz të veprimeve të pakoordinuara. (koha.mk)