“Kur e pashë për herë të parë vura duart në kokë: fytyrë engjëllore, syze, flokë të krehur, mungonin vetëm librat. Mendova se kishim marrë një student. Në stërvitjen e parë me ne isha gati ta pyesja: i ke lajmëruar prindërit se sot nuk ke shkuar në shkollë? Më pas zbriti në fushë dhe hapu qiell… hapu me të vërtetë!”
Kështu e përshkruan Karlo Ançeloti stërvitjen e parë të Rikardo Kaka me kuqezinjtë. Ishte viti 2003 dhe pjesa e tjetër është histori. Braziliani ishte një nga lojtarët më të fortë të Milanit të fundit fitues dhe spektakolar, ndërsa në vitin 2007 fitoi dhe “Topin e Artë”.
Përveç talentit të madh dhe inteligjencës që zotëronte në fushën e blertë, Kaka ishte nga ata lojtarë që e dashurojnë të gjithë dhe ishte e vështirë t’i gjeje ndonjë defekt. Braziliani ishte dhe një besimtar i devotshëm, vazhdon të jetë dhe i “shokoi” të gjithë me deklaratën që e kishte ruajtur virgjërinë e tij për ditën e martesës.
U tha, u bë! Ai u martua me Karoline Seliko me 23 dhjetor të vitit 2005 në një kishë të Sao Paulos. 36-vjeçari i është rikthyer dhe njëherë episodit të veçantë, ndërsa thekson se sot nuk do e kishte bërë publike një sekret të tillë. Ai nuk është penduar, por kohët kanë ndryshuar dhe sot sekreti i tij nuk do ishte marrë vesh nga të gjithë.
“Sot do të shprehesha ndryshe. Ka disa gjëra në kohët e sotme, kryesisht në rrjetet sociale, aty ku komunikon me shumë njerëz. Nuk pendohem për mënyrën me të cilën mbërrita në martesë, por sot do e mbaja sekret për vete atë fakt, për të ruajtur veten nga spekulimet dhe batutat”, përfundon Rikardo Kaka prononcimin e tij për “SporTV”.