Sulmuesi brazilian Rikardo Kaka ka deklaruar javën e kaluar se nuk do të rinovojë me skuadrën e Orlando Siti, duke u larguar nga kampionati amerikan, por duke lënë të hapur çdo alternativë tjetër. Ai konfirmoi se do të vazhdojë të luajë futboll: “Vendimi im është për të mos rinovuar me Orlando. Të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, pasi kam nevojë për sfida të reja”, tha Kaka. Dhe shtypi brazilian ka shkruar sot se sulmuesi mund të rikthehet në vendlindje, teksa nuk ka munguar oferta e parë, ajo e San Paolo, ku dhe ka nisur të luajë futboll. Madje edhe vetë Kaka ka thënë se ka dëshirë të luajë sërish me skuadrën ku ka mësuar të luajë futboll, kur ishte fëmijë. “Sot për sot është e vështirë të flasësh për këtë gjë, por nëse do të kisha një mundësi që të rikthehesha të luaja në San Paolo, do ta bëja këtë gjë. Lidhja mes meje dhe këtij klubi është e fortë”, tha sulmuesi gjatë një interviste. Kaq ka mjaftuar dhe presidenti i klubit të San Paolo, Karlos Augusto Barros t’i hapë dyert këtij rikthimi. “Është një sulmues që ka bërë shumë për historinë e skuadrës sonë. Nëse ka dëshirë të rikthehet, do të bëjmë gjithçka është e mundur që kjo gjë të ndodhë”, tha Barros. Sulmuesi RiKardo Kaka tashmë është 35 vjeç dhe me San Paolo ka debutuar në vitin 2001 dhe më pas shkoi te Milani.