“Sonte do të fitojë Milani. Do të shënojnë Piatek dhe Paqueta”. Është ky parashikimi i Kaka, ish-sulmuesit brazilian të Milanit për derbin që kuqezinjtë do të luajnë sot në mbrëmje ndaj Interit në “San Siro”. Kakà nuk do të jetë në stadium sot, por premton se do ta shohë sfidën përmes TV. Ai karikon edhe më shumë kuqezinjtë në prag të kësaj sfide delikate për vendin e tretë në Serinë A.
“Milan po rikthehet në nivelet e dikurshme edhe pse Leonardo, Gattuso e Maldini kanë ende shumë punë për të bërë. Gjithsesi, ekipi po rritet nga ndeshja në ndeshje në fushë dhe po ashtu edhe bilancet janë më të mira. Është e rëndësishme që një ekip si Milani të jetë edhe ekonomikisht i shëndetshëm”, shprehet braziliani.
Kakà vlerëson punën e bërë nga Gattuso: “Ka kaluar momente të vështira, por ka ditur të udhëheqë skuadrën, pasi në gjakun e tij rrjedhin ngjyrat kuqezi. Milani meriton të luajë në Champions. Piatek dhe Paqueta janë dy blerje perfekte për Milanin. Krzysztof është njësoj si Shevchenko dhe Lucas si mua, ata të dy do të shkruajnë historinë. Megjithatë, krahasimet nuk më pëlqejnë”, thotë Kakà.