Kafiteritë dhe restoranet fillojnë me punë, lejohet maksimum katër persona në një tavolinë

24

Shkup, 28 maj – Prejse ishin mbyllur më 13 mars për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, kafiteritë dhe restoranet prej sot sërish fillojnë me punë. Të hapura për mysafirë do të jenë vetëm ato kafiteri dhe restorane të cilat kanë terraca, dhe në çdo tavolinë do të mund të ulen maksimum nga katër persona.

Protokolli për hapje dhe punë të objekteve hotelierike për ushqim përcakton se orari i punës është kufizuar prej orës 08:00 deri në orën 22:00, dhe lejohet puna vetëm në pjesët e hapura të objekteve hotelierike për ushqim me shërbim, të cilat janë të hapura në tre anë të konstruksionit të çatisë.

Të punësuarit në objektin hotelierik të cilët shërbejnë janë të obliguar që të mbajnë maska mbrojtëse dhe të lajnë shpesh duart.

Kufizohet edhe numri i mysafirëve, gjegjësisht do të shërbehen vetëm mysafirë të cilët mund të ulen ose persona të cilët përmes sportelit do të marrin porositë, gjegjësisht nuk është e lejuar shërbimi i mysafirëve duke qëndruar në banak ose këmbë në tavolina.Protokolli bën të ditur se është i obligueshëm menaxhimi në hyrje i mysafirëve për të cilin nevojitet që të përcaktohet personi përgjegjës.

Në hapësirën e hapur për shërbimin e mysafirëve ku ka të vendosur tavolina, të sigurohet distancë ndërmjet karrigeve prej 1,5 -2 metra me tavolinat fqinje në të gjitha drejtimet, ndërsa në një tavolinë me katër karrige mund të ulen dhe të shërbehen maksimum dy persona, përderisa në një tavolinë me katër karrige mund të shërbehen katër persona nëse janë nga familja e njëjtë.

Protokolli lejon numër maksimal prej 12 personave në tavolina të bashkuara bashkë me distancën e obliguar ndërmjet secilit mysafir prej 1,5 metra.

Është e obligueshme vendosja e mjetit për dezinfektim në secilën tavolinë, si dhe kontrolle të përforcuara të brendshme të të punësuarve për mbajtjen e higjienës personale (larje e shpeshtë e duarve) në të gjitha fazat e përgatitjes, pranimit dhe shërbimit të ushqimit nga ana e personit përgjegjës.

Kërkohen masa të përforcuara sanitare-higjienike, pastrim i tavolinave me mjet për dezinfektim i cili vepron në viruse sipas udhëzimit të prodhuesit gjatë largimit të mysafirëve nga secila tavolinë, ndërsa në fund të ndërrimit është i obligueshëm pastrimi dhe dezinfektimi mekanik me mjet i cili ndikon në viruse sipas udhëzimit të prodhuesit, në mënyrë alternative do të mund të shfrytëzohet 0,05% natrium hipohlorit (5 % zbardhues për amvisëri i cili përdoret në proporcion 1:100) ose 70 % alkool për dezinfektim të hapësirave të larta.

Protokolli përcakton se është e obligueshme mirëmbajtja e rregullt e tualeteve duke mbajtur evidencë për pastrimin e bërë dhe me përdorim të mjeteve dezinfektuese. Në tualetet ndalohet shfrytëzimi i tharësve të duarve, ndërsa është i obligueshëm shfrytëzimi i letrave higjienike për duar për një përdorim.

Në këtë fazë protokolli ndalon organizimin e ahengjeve (dasma, ditëlindje, pagëzime dhe të ngjashme).

Për punën e objekteve të mbyllura dhe ato që nuk kanë terraca, do të vendoset në fazën e ardhshme.

Objektet hotelierike të cilat sot duhet t’i hapin terracat thonë se masat deri në fund do t’i respektojnë, por megjithatë shpresojnë në disa ndryshime.

Siç theksoi dje Martin Angelovski nga Oda turistike-hotelierike pranë Lidhjes së odave ekonomike, duhet të bëhet pozitë më e mirë që të kenë humbje më të vogla.

“Është e sigurt që nuk do të fitojmë, por mund të bëjmë pozitë më të mirë që të kemi humbje më të vogla nëse ka masa më të mençura”, thotë Angelovski.

Sipas Odës ekonomike të Maqedonisë, koha do të tregojë nëse protokollet do të reflektohen mbi punën e objekteve hotelierike. Oda sqaron se vetë hapja e objekteve hotelierike është specifike nga aspekti i grupimit të njerëzve, që është një nga rekomandimet kryesore e cila nuk duhet të bëhet.

“Situata nuk është ndërruar nga java e kaluar kur e treguam gjendjen, Do të shohim se cilat do të hapen. Ndryshe është paralajmërimi, ndryshe është në terren. Në çdo rast, koha do të tregojë nëse protokollet do të reflektohen mbi punën e objekteve hotelierike. Jemi të vetëdijshëm se në të gjitha vendet e rajonit dhe më gjërë hotelieria dhe turizmi ishin më të goditura. Nga ana tjetër, hapja e objekteve hotelierike është specifike nga aspekti i grupimit të njerëzve që është një nga rekomandimet kryesore e cila nuk duhet të bëhet”, theksojnë nga Oda ekonomike.

Për shkak të koronavirusit, të gjitha objektet hotelierike në shtet e ndërprenë punën më 13 mars. Humbjet, sipas vlerësimeve të sektorit, janë dhe do të jenë të mëdha ndërsa nevojitet periudhë e gjatë për rimëkëmbjen e tyre të tërësishme.

Comments are closed.