Shkup, 27 qershor – Florijan Kadriu nuk është më futbollist i Renovës. Kadriu, i cili këtë sezon ishte njëri prej më të mirëve në radhët e “gjipspunuesve”, nuk arriti të merret vesh me kryesinë e klubit për kushtet, ndërsa flitet se personalisht ai ka opsione më të mira për vazhdimin e karrierës, ku thuhet se do të nënshkruan kontratë me një skuadrës nga elita e futbollit vendor, ndërsa oferta ka edhe nga kampionati i Kosovës.
Lajmin për largimin nga Renova e ka konfirmuar edhe vetë futbollisti në profilin e tij zyrtar në “Facebook”.
Faleminderit K.F Renova. Shumë çaste dhe kujtime të bukura kaluam bashkë. Si një familje e shëndoshë, gjithmonë do mbetesh në zemrën time. Jam ndjerë si në shtëpinë time. Prej sot edhe zyrtarisht nuk jam pjesë e K.F Renovës. Falënderime pa fund për gjithçka, falënderim për drejtuesit, stafin teknik, lojtarët për këto dy vite e gjysmë që më keni dhënë besimin e plotë. Ju dëshiroj suksese pa fund në kampionat dhe në garat evropiane. Me respekt Florian Kadriu”, ka shkruar Kadriu.
Ndryshe, kur jemi të KF Renova, të enjten kryesia e klubit ka vazhduar kontratat me tetë futbollist, kontratat e të cilëve kishin skaduar. Ky ishte”skeleti” i ekipit gjatë sezonit të pambaruar, ndërsa ata që kanë vazhduar me Renovën edhe për sezonin e ardhshëm janë Nehar Sadiki, Argjent Gafuri, Xhelil Abdullah, Burim Sadiki, Nenad Mishkovski, Bashkim Velija, Samir Fetai dhe Remzifaik Selmani. Derisa, thuhet se në ditët në vijim, Renova pritet të sjellë emra të rinj në radhët e saj, për të përforcuar ekipin për garat kualifikuese në Ligën e Evropës. (koha.mk)