Shkup, 25 shkurt – Futbollistët e Renovës iu rikthyen fitores, pasi në stadiumin e qytetit në Tetovë mundën me 2-0 skuadrën e Struga Trim-Lum në kuadër të derbit shqiptar. Epërsinë “gjipspunuesve” ua solli Bojan Miovski në minutën e 26-të, ndërsa në pjesën e dytë, respektivisht në minutën e 57-të Florian Kadriu shfrytëzoi topin e dëbuar nga mbrojtja strugane dhe me një gjuajtje precizë mposhti për së dyti herë portën e Gjuriç.
I lumtur për golin, gol i cili vulosi edhe fituesin në këtë përballje ishte Florian Kadriu. “Jam shumë i kënaqur me këtë fitore dhe tre pikët e arritura. Një fitore shumë e rëndësishme për ne, e cila na e rrit vetëbesimin për ndeshjet e radhës dhe objektivat që i kemi si skuadër. Sigurisht se kur fiton je i kënaqur, por edhe më i kënaqur je kur arrin të shënosh. Jam i lumtur për golin dhe shpresoj se do të vazhdoj me këtë ritëm dhe sa më shumë gola në përballjet tjera”, shprehet Kadriu pë gazetën Koha.
Ndryshe, kundërshtari i radhës i Renovës do të jetë FC Shkupi, ndeshje kjo e cila do të zhvillohet në stadiumin në Çair më 1 mars. “Sigurisht se ndeshjen me Struga Trim-Lumin duhet ta harrojmë dhe të koncentrohemi për ndeshjen e radhës me FC Shkupi. Do të përgatitemi mirë për këtë ndeshje, që është edhe derbi shqiptar. Pra në Shkup do të shkojmë për të arritur rezultat pozitiv”, përfundoi Florian Kadriu, autori i golit të dytë për Renovën në përballjen me skuadrën strugane.
Aktualisht KF Renova në tabelën e klasifikimit gjendet në pozitën e 8-të, e cila qon në play-off për mbetje në elitën e futbollit vendor, por rrezikon edhe rënien nga Liga duke marr parasysh se nga vendi i parafundit dhe i fundit e ndanë vetëm një respektivisht dy pikë. (koha.mk)