Shkup, 24 janar – Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë sot do ta mbajë seancën e parë për këtë vit me gjykatësit e sapoemëruar Osman Kadriu dhe Darko Kostadinovski.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 11 janar i zgjodhi Kadriun dhe Kostandinovskin për gjykatës të rinj të Gjykatës Kushtetuese sipas propozimit të presidentit të Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov.
Osman Kadriu është jurist i shquar dhe i njohur në Republikën e Maqedonisë. Si propozim për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese vjen nga komuniteti akademik, si profesor në Fakultetin për Shkenca Juridike në FON, ekspert në fushën e së drejtës obligative. Ai ka stazh disa dekada, në fushën e shkencave juridike si gjyqtar në Gjykatën Komunale në Kërçovë, anëtar i Këshillit Gjyqësor Republikan dhe avokat. Më shumë se dhjetë vite, dr. Kadriu ka qenë i angazhuar si profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës në sferën e së drejtës civile. Dr. Kadriu i ka publikuar katër libra prej sferës civile-juridike, marrëdhëniet e punës dhe juridike dhe sistemi politik. Është autor i mbi 50 temave shkencore bibliografike dhe artikujve të publikuar në revistat e njohura profesionale në Maqedoni dhe jashtë vendit.
Darko Kostadinovski është doktor i shkencave të drejtësisë në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” në fushën e të drejtës ndërkombëtare. Ka doktoruar në temën “Kompetenca këshillëdhënëse e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë: pasojat ligjore nga mendimet këshillëdhënëse të Gjykatës”, dhe është autor i librave “Arbitrazhi Ndërkombëtar” dhe “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – domosdoshmëri për reforma dhe ndryshime (Mendimet këshillëdhënëse të Gjykatës dhe implikimet e tyre) “. Kostadinovski si propozim për gjyqtar kushtetues, vjen nga vendi këshilltar për politikë të jashtme në kabinetin e presidentit të Republikës së Maqedonisë. Ai është anëtar i Kabinetit të presidentit që nga viti 2001 në Kabinetin e atëhershëm të presidentit, Boris Trajkovski. Në vitin 2015, Kostadinovski është emëruar në funksionin i dërguar i Republikës së Maqedonisë në Aleancën e civilizimeve të Kombeve të Bashkuara.
Kadriu dhe Kostadinovski vijnë në vendin e gjykatëseve Natasha Gaber Damjanovska dhe Gëzime Starovës, të cilave mandati u përfundoi në tetor të këtij vitit. Ato u zgjodhën për gjykatëse të Kushtetueses me propozim të presidentit Branko Cërvenkovski në vitin 2008.
Përveç Gaber Damjanovska dhe Starovës, mandati në gusht të vitit të kaluar i skadoi edhe gjykatësit Ismail Dardhishtës, i cili në vitin 2008 u zgjodh sipas propozimit të Komisionit kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Vendi i tretë i zbrazët për gjykatës kushtetues duhet të plotësohet në propozim të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Gjykatën Kushtetuese e përbëjnë nëntë gjykatës, të cilët përzgjidhen nga radhët e juristëve të shquar. Kuvendi i RM-së i përzgjedh gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi përzgjedh gjashtë gjykatës të Gjykatës kushtetuese me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Kuvendi përzgjedh tre gjykatës me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, me ç’rast duhet të ketë shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve të cilët i takojnë komuniteteve të cilat nuk janë shumicë në RM. Mandati i gjykatësve zgjat nëntë vjet pa të drejtë për zgjedhje të sërishme. Kryetari i Gjykatës u përzgjidh nga radhët e gjykatësve gjatë tre viteve, pa të drejtë të zgjedhjes së sërishme.