Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot e ka pranuar Platformën e Dialogut për marrëveshjen përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë nga dy bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.
Veseli ka thënë se viti në të cilën kemi hyrë do të jetë një vit i sukseseve të mëdha për vendin.
“Viti 2019 është viti kur Kosova do të anëtarësohet në OKB, është viti i hapjes së rrugës që Kosova pas Maqedonisë Veriore të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO, liberalizimit të vizave dhe rrugëtimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran drejt Bashkimit Evropian dhe integrimit të plotë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian”.
“Sot, Delegacioni Shtetëror ka dorëzuar Platformën për Dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Kryeparlamentari ka thënë se kjo platformë që ai e ka pranuar sot nënkupton sovranitet dhe integritet të plotë territorial të Kosovës.
Ai ka thënë se ky dokument garanton se në Kosovë nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive, njofton Klan Kosova.
“Kjo është baza që do t’i propozohet Kuvendit të Kosovës për dialogun me Serbinë e cila nënkupton sovranitet të plotë, integritet të plotë të shtetit të pavarur dhe sovran dhe në të njëjtën kohë garanton që nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive, pushtet të tretë apo Republika Srpska në Republikën e Kosovës”.
“Po ashtu garanton përgjegjësitë që ka shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës si dhe reciprocitet për vëllezërit tanë që t’i ruhen të drejtat shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë”.
Veseli ka thënë se platformën të cilën e ka pranuar sot nga Limaj dhe Ahmeti, Kuvendi i Kosovës do ta shqyrtojë në afatin sa më të shpejtë, në mënyrë transparente dhe duke respektuar të gjitha procedurat.
Kryeparlamentari ka thënë se fjalën e fundit për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë megjithatë do ta kenë qytetarët e Republikës së Kosovës përmes referendumit.
“Ajo që dua të përçoj si mesazh te qytetarët e Kosovës është se ne do të miratojmë këtë Platformë në Kuvend ndërsa vendimmarrjen në fund të marrëveshjes përfundimtare do ta keni ju vetë – me referendumin që do ta kemi në Republikën e Kosovës që i hapë perspektivë shtetin tonë të pavarur dhe sovran”.
Ai ka falënderuar bashkëkryesuesit dhe të gjithë anëtarët e Delegacionit Shtetëror duke thënë se ata kanë bërë punë shumë të mirë dhe transparente në shërbim të qytetarëve dhe vendit.
I pari i Kuvendit ka ftuar sërish opozitën që te jetë pjesë e këtij Delegacioni.
“Thërras pjesën e opozitës që nuk iu ka bashkangjitur përgjegjësive kombëtare, kushtetuese dhe qytetare që të kenë bashkëpjesëmarrje në procesin e dialogut historik që e bën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran edhe si anëtare të OKB-së”.