Kreu i PDK-së, Kadri Veseli pritet që nesër, më 10 dhjetor të ballafaqohet me Prokurorinë Speciale të Hagës.
Ndonëse nuk dihet cilësia në të cilën është ftuar, intervistimi i Veselit ishte paraparë të mbahet më 4 dhjetor, mirëpo më pas ishte shtyrë për datën 10 dhjetor. Një gjë të tillë e patën konfirmuar nga kabineti i ish-kryeparlamentarit Veseli.
Veseli i cili ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe shef i Shërbimit Inteligjent të Kosovës (SHIK), është shprehur se do t’i përgjigjet ftesës, me qëllim që ta mbroj luftën e pastër të UÇK-së. “Jam i bindur se edhe kjo Gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe që do t’i ndalë goditjet ndaj të vërtetës së popullit tonë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese, më 4 dhjetor”, kishte thënë Veseli, kur e bëri ftesën publike.