Lubjanë, 14 janar – Ish zëdhënësi i qeverisë sllovene, Jelko Kacin do të jetë sekretar shtetëror në kabinetin e kryeministrit Janez Jansha, përgjegjës për koordinimin e pjesës logjistike të vaksinimit masiv, kumtoi sot qeveria sllovene.
Në këtë pozitë Kacin do të jetë përgjegjës për shkëmbimin e informacioneve dhe të dhënave për vaksinimin, transmeton Televizioni i Sllovenisë.
Ai u bë zëdhënës i qeverisë në mars të vitit të kaluar, kur Janez Jansha e mori detyrën e kryeministrit. Kacin do ta marrë detyrën të hënën, ndërsa Maja Bratusha do ta zëvendësojë atë përkohësisht si zëdhënëse e qeverisë.
Kacin ishte ministër i Informacionit në Slloveni në vitet e 90-ta, ndërsa një kohë punoi edhe si i dërguar special i BE-së në Ballkan.