Me sa duket do të marrë fund në mënyrë pozitive për Ergys Kaçen telenovela e merkatos në këto ditë të para të janarit sa i përket transfermit të mesfushorit shqiptar të klubi i Panathinakos. I lënë në harresë te PAOK ku nuk ka hapësira aktivizimi për të, mesfushori është shumë pranë kalimit te një klub i cili është shpallur 20 herë kampion në Greqi, por aktualisht po kalon një krizë financiare.
Kaçe është pjesë e marrëveshjes mes dy klubeve për kalimin e Moludo nga Panathinaikos te PAOK. Mbrojtësi brazilian do të huazohet deri në fund të sezonit te PAOK dhe në këmbim Panathinaikos do të marrë 500 mijë euro, si dhe Kaçen e Konstandinidis. Lojtarët do të jenë në huazim deri në verë, me të drejtë blerjen e tyre përfundimtare.Kjo është zgjidhja ideale për mesfushorin shqiptar, i cili nuk luan rregullisht prej kohësh dhe është zhdukur nga fusha e lojës, edhe pse deri dy vite më parë cilësohej si një nga talentet më të mëdhenj të prodhuar nga kampionati grek në vitet e fundit.