Shkup, 18 shkurt – Liderët e LSDM-së dhe BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti në Klubin e deputetëve e kanë filluar takimin ku do të bisedohet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe mundësinë për kandidat të përbashkët presidencial.
Zaev është i shoqëruar nga Aleksandar Kiracovski dhe Mile Zeçeviq, ndërsa Ahmeti nga Artan Grubi dhe Atilla Rexhepi.
Para takimit me Ahmetin, Zaev në deklaratë për media në promovimin e Parkut shkencor- teknologjik në Shkup ka vlerësuar se ka ujdi për kandidat konsensual presidencial. Ka paralajmëruar se do të bisedojë edhe me liderët e partnerëve tjerë të koalicionit të bllokut shqiptar- me Besën e Afrim Gashit, me Menduh Thaçin nga PDSH si dhe me Ziadin Selën nga Aleanca për Shqiptarët dhe Besën e Bilall Kasamit.
Qëllimi i bisedimeve, siç ka theksuar është të shihet nëse të gjithë mund të rreshtohen pas kandidatit të përbashkët që është i pranueshëm për të gjithë qytetarët e çfarëdo politike, etnike dhe përkatësisë sociale.
“Besoj se kjo është e mundshme. Nëse e bëjmë këtë, edhe një herë e konfirmojmë ‘një shoqëri për të gjithë’ dhe dërgojmë porosi serioze për inkurajim të qytetarëve mbi përgjegjësinë tonë që të tejkalojmë veten dhe të rreshtohemi pas personalitetit për të cilin besojmë se do të jetë president i shkëlqyeshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Zaev.
Ali Ahmeti në intervistën për RTK ka thënë se në BDI ka vullnet që të arrihet marrëveshje për kandidat konsensual me partnerët e koalicionit, por kjo varet nga dyja palët.
Kundër kandidatit të përbashkët me BDI-në janë Aleanca për Shqiptarët dhe Besa e Bilall Kasamit. Besa e Afrim Gashit ende nuk ka qëndrim, ndërsa PDSH do të mbështes vetëm kandidatin e përbashkët të pushtetit.