Dibër, 21 tetor – Ka filluar realizimi i projektit për rregullimin e sheshit “Skënderbej”, përkatësisht qendrës së Dibrës.
Sipas Gazmend Camit, udhëheqësi i sektorit të planifikimit urban, për momentin është duke u punuar në rindërtimin dhe rehabilitimin e trotuareve rreth parkut të qytetit dhe pjesës së ish-shtëpisë së mallrave, ku tani ndodhen një numër objekte afariste.
“Bëhet fjalë për rindërtimin dhe rehabilitimin e rreth 1,750 metra katrorë trotuaresh, të cilat ishin vërtet në gjendje shumë të keqe, me shumë dëmtime. Kjo është pjesa më e ngarkuar e qytetit dhe linte imazh të keq te çdo vizitor i qëllimshëm ose vizitor i rastësishëm i qytetit tonë. Tani trotuaret do të shtrohen me beton cilësor – pllaka graniti”, shton Cami.
Sipas tij, për këtë realizim janë ndarë 4,6 milionë denarë nga buxheti i komunës.
Sipas marrëveshjes, punimet duhet të përfundojnë brenda dy muajsh, ndërsa realizohen nga kompania “Piramid solushn bilding”.