“Qëllimi i kësaj mase është kujdesi për pacientët në periudhën deri në kontrollin e parë postoperativ të planifikuar në institucionin spitalor, i cili zakonisht është planifikuar një muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale”, thotë dr.Vlladimir Milloshev, sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë
Delvina KËRLUKU
Shkup, 14 shtator – Pas operacionit të pacientit, do të duhet kujdes në ndërhyrjen kirurgjikale që të shërohet. Duhet të veprohet në mënyrë të tillë që të mënjanohen dhimbjet, infeksionet, diskomforti. Në këtë kujdes infermieri duhet të jetë i njohur dhe të dijë mirë llojin e plagës për të vepruar siç duhet në mjekimin e përdorur. Pikërisht për kujdesin shëndetësor Ministria e Shëndetësisë ka filluar një masë sistematike të re për zhvillimin e kujdesit ambulator (shtëpiak) postoperative. Sipas ministrisë, të gjitha objektet e shëndetit publik ku kryhen intervenimet kirurgjikale mbulohen nga ky projekt dhe pacientët me operim janë ata që do të përfitojnë më së shumti. “Qëllimi i kësaj mase është kujdesi për pacientët në periudhën deri në kontrollin e parë postoperativ të planifikuar në institucionin spitalor, i cili zakonisht është planifikuar një muaj pas ndërhyrjes kirurgjikale”, thotë dr.Vlladimir Milloshev, sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë. Për këtë qëllim tashmë janë rekrutuar punonjësit e shëndetësisë, të cilët do kontaktojnë me pacientin në telefon një herë në ditë për tre ditët e para të lëshimit nga spitali, dhe pastaj një herë në javë deri në rezervimin e parë të kontrollit. Mirëpo, një nënë e dy fëmijëve, e cila ka lindur fëmijën e dytë para 3 javëvë me lindje cezariane është lëshuar nga spitali për 3 ditë. Ajo nuk ka patur kontroll nga stafi mjekësor, gjatë gjithë kësaj periudhe. Pas vendosjes në shtëpi ka patur komplikime, ku edhe ka marrë hapin të shkoj në urgjencë. “Pas lindjes cezariane, ku edhe është e dyta herë që bëj lindje të këtilla, jam lëshuar nga spitali brenda 3 ditëve. Por, doktorët më kanë këshilluar se si të kujdesem për shëndetin tim. Kontroll në shtëpi nga ana e spitalit nuk kam patur për shëndetin tim. Por, nëqoftëse është nevoja do të duhet të kontrollohem në spital. Pas një javë si dola nga spitali pata komplikime, them për shkak të pa kujdesit tim shëndetësor. Mirëpo, kam patur edhe shumë vizita, për urime, dhe infeksionet janë të mundshme. Pas keqësimit të gjendjes, shkova menjëherë në urgjencë”, thotë një nënë, për gazetën Koha. Ajo shton se kontroll ndaj saj nuk është ushtruar nga ana e mjekëve, por ka ardhur motra medicinale tre herë ta sheh foshnjën dhe të konstatojë nëse është mirë me shëndet. Lehona, nuk e përjashton faktin se mjekët dhe infermierët duhet të kontrollojnë atë aq më shumë kur nënat që kanë lindur me lindje cezariane lëshohen nga spitali për tre ditë. Poashtu të udhëzojnë pacientët në kujdesin e duhur kirurgjikal të plagës, ku bën pjesë edhe lindja cezariane. Ilir Shurdhani, zëdhënës i spitalit gjinekologjik “Nënë Tereza”, në Çair thotë për gazetën Koha, se kontrolli pas lindjes (cezariane) bëhet vetëm te fëmija, ndërsa nëna nëse ka shqetësim dhe ka nevojë të kontrollohet. Sipas rregullores kontrolli është një herë në dy jave ose në çdo moment, sipas nevojës. “Varësisht çfarë komplikime ka nëna, pas lindjes vendoset se sa do të qëndrojë në spital. Zakonisht ditët e ndejës në spitalin tonë janë nga tre deri në shtatë ditë. Por, ndodh, nëse nuk është gjendja e mirë e shëndetit të nënës mbahen edhe më gjatë. Kur i lëshojmë në shtëpi, ajo ka të drejtë të kontrollohet një herë në 2 jave, ose pastaj një herë në muaj dhe më pas kontrollin e bën te mjeku amë”, thotë doktor Shurdhani. Ndërsa, për kontroll shtëpiak, Shurdhani shton se kujdesi bëhet vetëm për foshnjën duke i dhënë këshilla nënës se si duhet të kujdeset për fëmijën. “Infermierët japin vetëm këshilla se si duhet të ushqehet fëmija, si duhet të mirëmbahet shëndeti i foshnjës, si duhet të veshet, por ky kontroll nuk ka të bëjë aspak me kirurgjinë”. Gjinekologët thonë se plaga e lindjes cezariane ka rëndësi si çdo plagë tjetër e shkaktuar në trupin e njeriut, pasi një kujdes jo adekuat për to mund të çojë në komplikacione të mëtejshme të plagës. Komplikacionet do të rrisin kohëzgjatjen e qëndrimit të pacientit në spital, do të ndikojë në psikologjinë e pacientit si dhe do të ndikojnë në anën ekonomike të tij. Për këtë është e rëndësishme që të ketë një kujdes të duhur dhe të saktë të këtyre plagëve në mënyrë që të evitohen problemet. Mirëpo, nga ministria e shëndetësisë thonë se gjatë kësaj periudhe, postoperative, pacienti për çdo ndryshim në shëndetin e tij mund të merr këshilla mjekësore në telefon nga ana e infermierit të caktuar.