Delvina KËRLUKU
KOHA: Zonja Nebiu, keni ngritur zërin për të drejtat e grave. Si nisi kjo iniciativë për vajzën, për gruan, për nënën?
NEBIU: Jam e bindur se kjo ndodhi shumë herët në moshën time 18-19 vjeçare, pas kryerjes së shkollës së mesme pedagogjike, pasi u punësova si mësuese në shkollë fillore, të një lagjeje shumë të varfër (në atë kohë), në periferi të Tetovës. Ishte ky një zë që vinte nga zemra, por jo shumë e artikuluar dhe emëruar si vetëdije për të drejtat e grave. Thjesht, angazhim spontan për përfshirjen sa më të madhe të vajzave në shkollim. Më vonë kjo ndjenjë vazhdimisht u rritë dhe bë ideali dhe ëndrra ime jetësore. Arsye për të vazhduar aktivitetin tim 25 vjeçar fokusuar në dobi të balancës gjinore, për një shoqëri më humane më të drejtë, ku femrat dhe meshkujt do të kenë të drejta, mundësi dhe obligime të barabarta. Shoqëri, që do të dijë t’i shfrytëzojë edhe aftësitë, shkathtësitë dhe kapacitetin intelektual edhe të 50%-shit të dytë të hapësirës qiellore, që Zoti i plotfuqishëm i lindi të barabartë, ndërsa njeriu u kujdes t’i ndaj rolet e tyre gjinore, obligimet dhe të imponojë kufizime dhe qasje të pabarabarte në fuqi dhe resurse.
Them se kjo u zhvillua spontanisht, pasi shkaku kryesorë ishte një praktikë e asaj kohe që prindërit mos të vinin t’i regjistronin fëmijët në shkollë, por këtë e bënim ne mësueset/it me vizita shtëpiake. Këto vizita luajtën një rol të rëndësishëm në jetën time. Më ndihmuan të ballafaqohem me realitete shumë të hidhura. Me pozitën e mjerueshme ekonomike dhe kushtet e jetesës së familjeve, por edhe dominimi fuqishëm i vlerave patriarkale, ku një pjese e konsiderueshme, refuzonin vajzat t’i regjistronin në shkollë ose u ndërpritnin shkollimin pas kryerjes të klasës së katër fillore. I dhimbshëm ishte fakti kur në sytë e nënës shihja frikë dhe shpresë, por jo edhe zë, guxim dhe fuqi vendosëse për ardhmërinë e bijës së saj. Fjalën kryesore e kishin anëtaret meshkujt, sidomos gjyshi. Kjo ishte një sfidë e madhe për mua. Duhet shpenzuar shumë energji t’i bindnim prindërit që kundërshtonin, diku korrnim sukses, por në raste specifike dhe jo. Atë vit unë me kolegen time, vendosem të mos dorëzohemi lehtë. Tre muaj vere vazhduam të jemi “mysafire të rregullta” në familjet e njëjta ku rezistenca ishte e madhe. E fituam besimin e një pjese të prindërve, por jo dhe të gjithë. Unë për herë të parë ndjenja një fitore që me plotësoi mua, sidomos ai gëzim dhe lumturi që e shihja në sytë e vogëlusheve dhe nënave të tyre. Kjo ishte një përvoje që më trimëroi më dha shpresë dhe guxim të vazhdojë. Thjeshtë këtë e përjetova si obligim dhe pjesë e punës time. Atë kohë nuk isha shume e vetëdijshme, se kjo është fillimi i luftës time dhe përcaktimi im jetësor në dobi të gruas dhe barazisë gjinore. Pasi u martova dhe pas shpërnguljes time ne Shkup, fati deshi të vazhdoje shkollimin e lartë që e pata filluar qysh ne Tetovë dhe paralelisht me të edhe të punësohem si mësuese, por edhe ta vazhdoja aktivitetin tim shoqëror në shkollën e lagjes së varfër dhe të famshme të Dizhonit, ku bashkë me koleget e mia u ballafaquam me sfida të ndryshme të kohës së monizmit dhe diferencimit. Shkeljes së paparë të drejtave të njeriut të shqiptarëve. Vështirësitë, rreziqet dhe padrejtësitë që i përjetuam bashkë me banorët e kësaj lagjeje, mua më kaliti e rriti edhe më guximin, më forcoi dhe më bëri mos të heq dorë nga mbrojtja e të drejtave të njeriut, sidomos të grave, dhe të bëhem zëri i të pazëshmëve.
KOHA: Sot gratë kudo në botë gëzojnë më shumë liri dhe janë më të përfshira se kurrë më parë, në nivel bazë. Por, duke përfaqësuar rreth 50 për qind të popullsisë dhe shumë vite më parë pasi fituan të drejtën e votës, me përjashtim të pak vendeve – aksesi i tyre në jetën publike dhe vendimmarrje është duke u rritur shumë ngadalë?
NEBIU: Ky është një fenomen i përgjithshëm botëror, sidomos në vendet me demokraci të brishtë. Janë bërë hapa të guximshme. Konteksti dhe gjendja faktike ka ndryshuar mjaftë edhe tek ne, si rezultat i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe aktiviteteve lokale të OJQ-ve. Niveli i balancës gjinore në shumë sfera të marrjes së vendimeve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës është rritur ndjeshëm 25 vitet e fundit. Megjithatë, progresi nuk ka shënuar kudo të njëjtat arritje. Disa vende anëtare te Unionit Evropian i kanë transformuar rrënjësisht strukturat e marrjes së vendimeve dhe ekonomitë e tyre, kurse të tjerat kanë hasur në barriera. Pariteti gjinore në vendimmarrje mbetet pothuajse, kudo ende një ëndërr. Shkëmbimi i përvojave dhe bashkëveprimi i integruar i OJQ, për të drejtat e grave me vendosmëri sfidojnë këtë çështje. Sfera ku balanci gjinor mungon në rend të parë është vendimmarrja – gratë në pozita të larta udhëheqëse, por jo vetëm kaq. Gratë përfaqësojnë gjysmën e talenteve dhe aftësive potenciale të njerëzimit dhe në përfaqësimi tyre në marrjen e vendimeve është një humbje për shoqërinë në tërësi. Pozitën e pabarabartë të gjinive e vërtetojnë edhe hulumtimet dhe analizat gjinore. Në bazë të këtyre aprovohen konventa, dokumente dhe instrumente ndërkombëtare, si masa për zvogëlimin/ eliminimin/ e diskriminimit gjinore. Një ndër dokumentet bazike është edhe Deklarata e Pekinit dhe platforma për veprim, Konventa CEDAW, Rezoluta 1325 SCR –UN, “Konventa e Këshillit të Evropës për parandalim dhe luftë kundër dhunës ndaj grave”, e njohur si Konventa e Stambollit dhe një varg ligjesh që i detyron shtetet anëtare të OKB të inkorporojnë në legjislativën vendore.
Megjithatë zbatimi praktik i tyre në masë të madhe mungon. Këtu merr pjesë edhe R. Maqedonia e cila synon të jete anëtare e Bashkësisë Evropian. Në Maqedoni ekzistojnë mekanizma të instaluara. Ligji për Mundësi të barabarta dhe një numër i madh i strategjive dhe planeve të veprimit, por edhe mekanizma institucionale(në nivel qendror dhe lokal). Mirëpo zbatimi dhe ndikimi i tyre është shumë i vogël. I vetmi rezultat është zbatimi i Kodit zgjedhorë për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale ku ka masa afirmative – kuota prej 40% që i obligon partitë politike në listat zgjedhore të sigurojnë këtë përqindje për kandidatë të gjinisë më pak të përfaqësuar. Kjo masë në parim respektohet. Megjithatë në mungesë të mekanizmave adekuate mbrojtëse numri i grave në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë momentalisht është 34,6. Dekurajues është fakti se ky rezultat arrihet fal kuotave , dhe jo për shkak të vetëdijesimit dhe ndërrimit të mentalitetit patriarkal, kulturor dhe vullnetit të mirë të partive politike. Tek ne, çështja e balancit gjinor nuk njihet si vlerë dhe drejtësi. Aty ku mungojnë kuotat, mungojnë edhe gratë. Në qeveri prej 22 ministrive vetëm në 4 prej tyre udhëheqin femrat. Prej 80 kryetareve të komunave, momentalisht vetëm 4 janë femra. Listat e partive politike për kryetarë në Zgjedhjet lokale 2017, janë diskriminuese për femrat. Partitë politike duhet të kenë të qartë se pjesëmarrja e femrave në politikë dhe në pozita vendimmarrëse, nuk është vetëm respektimi i interesave të veçanta të femrave, por kjo është një parakusht i domosdoshëm për përmbushjen dhe revitalizimin e demokracisë, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
KOHA: Gratë në Maqedoni akoma janë të diskriminuara dhe larg nga realizmi i potencialeve të tyre?
NEBIU: Përveç në vendimmarrje dhe pozita të larta në udhëheqje, diskriminimi gjinor është i pranishëm edhe në sfera tjera të jetës private dhe shoqërore. Kjo gjendje është prezent në punësim si dhe qasje në tregun e punës; posedimi i pronës në emër të gruas; trashëgimia e pronës dhe ndarja e pabarabarte e pronës nga ana e prindërve, dhe një sferë veçanërisht delikate ku shkelet e drejta më bazike e grave, dhe kjo ka të bëjë me përjetimin e dhunës, qofte ajo: fizike, psikike apo seksuale. Shumë prezent në të gjitha vendet e botës, sidomos tek ne me një përqindje rreth 85%. Një prej dukurive është edhe femiciti – vrasja e grave nga bashkëshortet partneret e tyre që merr përmasa brengosëse. Numri i grave jo aktive në tregun e punës është i madh, mbi 67%. Kjo do të thotë se gratë e një moshe aktive për punë, nuk paraqiten në Agjencionin për punësim si kërkuese aktive ose pasive të punës. Ato nuk figurojnë fare si të papunësuara dhe nuk mund t’i shfrytëzojnë beneficionet e masave aktive për zbutjen e papunësisë. Këtu në rend të parë janë gratë e grupeve etnike jo shumicë, ku marrin pjesë edhe gratë shqiptare.
KOHA: Shumë barriera ekzistojnë si: politike, ligjore, kulturore, ekonomike, etj. Këto shkojnë nga mosimplementimi i ligjeve të barazisë, mungesa e besimit apo mbështetjes familjare, kultura politike mashkullore jomiqësore ndaj grave, duke përmendur disa prej tyre?
NEBIU: Është sfidë e madhe për të gjithë, sidomos ne që angazhohemi për ndryshime, e kemi të qartë se çështja për një shumicë të burrave, por edhe të grave është e padukshme për shkak të kulturës patriarkale, stereotipave, paragjykimeve dhe miteve ekzistuese gjinore. Ndonëse të armatosur me argumente, hasim një sërë vështirësish në realizimin e synimeve tona. Çmimi i ndryshimit të statuskuos është i lartë dhe për të gjithë ne, që aspirojmë për të bërë këtë ndryshim, nuk e nënvlerësojmë forcën e atyre që e shohin ndryshimin si një kërcënim të raporteve konvencionale të pushtetit, edhe pse ajo shpeshherë nuk shprehet në mënyrë të hapur. Duke u bazuar në problemet dhe sfidat ekzistuese Rrjeti IQF ANTIKO, të cilën e udhëhoqi, por jo vetëm ajo, punojmë paralelisht në disa fusha të ndikimit. Si në vetëdijesimin dhe fuqizimin e grave në teren, por edhe në krijimin dhe zbatimin e politikave të ndjeshme gjinore. Avokojmë dhe lobojmë në institucionet e sistemit në nivel qendror dhe lokal, por edhe i ndihmojmë atyre me ekspertizë në krijimin dhe zbatimin e politikave dhe buxheteve gjinore. Ajo që dua të theksoje është se: barazia gjinore nuk është vetëm çështje e grave, por është problem shoqëror shumëdimensional, gjegjësisht sistemor, andaj edhe duhet pasur një qasje sistemore dhe intersektoriale, me inkuadrimin e institucioneve, gjegjësisht edhe të burrave në zbutjen e problemit të balansit gjinorë. Sistemi i arsimor në të gjitha nivelet duke filluar prej kopshteve fëmijërore është posaçërisht i obliguar dhe i rëndësishëm në eliminimin e vlerave patriarkale, prej së cilës determinohet dhe diskriminimi gjinor, dhe prej ku duhet të fillojnë ndryshimet sistemore.
KOHA: Rritja e numrit të grave të zgjedhura në procese të fushave të ndryshme, ka qenë dhe vazhdon të jetë e limituar, nga mungesa e specifikimeve, iniciativat e dobëta për partitë politike apo?
NEBIU: Në këtë drejtim është shumë i rëndësishëm roli i partive politike, sepse ato paraqesin një filtër në përgatitjen e mandateve për përfaqësuesit e tyre në pushtetin lokal dhe qendror. Andaj, rëndësi të veçantë ka vendosja e mekanizmave brenda partiake që do ta përforcoj pozitën e gruas në të. Rol të rëndësishëm ka edhe parlamenti dhe administrata publike, e cila duhet të krijojë akte normative dhe mekanizma që do të mundësojnë harmonizimin e jetës familjare me atë profesionale dhe shoqërore. Gruaja në krahasim me burrat ka rol të trefishtë. Ajo reproduktive që është e stërngarkuar me punë të pa paguar shtëpiake, pastaj puna e paguar profesionale jashtë shtëpisë dhe ajo publike. Mossigurimi e serviseve të ndryshme të shërbimit që do ta lehtëson gruas barrën nga një pjesë e obligimeve shtëpiake në mungesë të kulturës dhe mentalitetit punët e shtëpisë të jenë obligim i gruas. Mirëpo jo vetëm kjo, ka edhe shumë faktorë të tjerë ndikimi që krijon bllokada objektive dhe subjektive në rritjen e numrit të grave në fusha të ndryshme të jetë e limituar, sidomos gratë shqiptare, për të cilën bëhet fjalë edhe në raportin dhe rekomandimet e CEDAW Komitetit për KB për Maqedoninë. Një pjesë e madhe e fajit është edhe tek femrat e partive politike, të cilat janë të heshtura dhe pranojnë të jenë “stoli demokratike”, dhe jo fuqi e mirëfilltë e partisë, e cila vjen me vizion të qartë dhe nuk e lejon veten të margjinalizohet dhe të trajtohet në mënyrë të pabarabartë. Përfaqësimi i drejtë i grave si kryetare komune, nuk është vetëm një çështje gjinie, por një tregues i nivelit të civilizimit të një komuniteti. Gratë që të jenë të suksesshme, duhet të promovojnë një qasje shumë më ndryshe. Sepse pranimi i pakushtëzuar, degradues dhe i margjinalizuar i angazhimit politikë në një afat më të gjatë, është vetëshkatërrim, dhe ka ndikim negativ për të gjithë femrat tjera që kanë kapacitet dhe duan të angazhohen në politikë. Gratë duhet të jenë të vetëdijshme, mos të pranojnë pozita dhe role nënçmuese, të veprojnë bashkërisht, të bëjnë rezistencë dhe të sigurojnë përfaqësim sa më të mire, jo vetëm për vete, por edhe për gratë tjera të partisë. Në fushatat parazgjedhore të ofrojnë agjendën e tyre që do ta përmirësojë pozitën kategorive të ndryshme të grave në komunitet dhe në përgjithësi të qytetarëve.
KOHA: Në dekadat e fundit gratë kanë arritur suksese të dukshme. Kanë avancuar në studimet universitare, në nivelin e punësimit, kanë hyrë në fushat e dominuar nga burrat. Por, është hutues fakti, sepse ende gratë nuk po bëjnë ndonjë progres të vërtetë në majat e industrisë?
NEBIU: Shumë e vërtetë kjo! Hulumtimet dhe dëshmitë tregojnë se numri i femrave dhe suksesi i tyre në arsimimin superior është shumë më i lartë në krahasim me meshkujt. Por gjatë punësimit dhe pozitave vendimmarrëse, si dhe profesioneve më të paguara ato “treten” dhe janë shumë të padukshme. Pikërisht këtu haptas detektohet ndikimi i kulturës, traditave, roleve dhe përvojave prej nga determinohen profesionet e ndara gjinore të rezervuara veçmas për meshkujt dhe femrat. Femrat janë të angazhuara më tepër në profesione që janë të bazuara në kujdes dhe dhënien e shërbimeve elementare , ndërsa meshkujt profesione që kanë të bëjnë me krijimtari, inovacione, ndërtim, industri dhe shërbime intelektuale, ku edhe pagat janë dukshëm më të larta.
KOHA: Gratë ballafaqohen me pengesa në botën profesionale, diskriminimin dhe barriera shoqërore, kjo e pengon avancimin e saj apo e forcon?
NEBIU:Vetë pozita e saj në familje dhe angazhimet që i ka në shtëpi, lindja dhe kujdesi ndaj fëmijëve dhe anëtareve tjerë të familjes, dhuna gjinore, paragjykimet, traditat, kufizimet e imponuara nga familja ose rrethi, shkalla e vetëbesimit, josiguria e saj në hapësira publike, mosbesimi i shoqërisë në aftësitë e saja se mund të jetë profesionaliste po aq e mirë sa edhe meshkujt janë kërcënime dhe barriera që e pengojnë afirmimin dhe avancimin e saj në jetën profesionale, në krahasim me meshkujt që nuk i kanë këto brenga dhe barriera.
KOHA: Ju zonja Gyner, duke qenë një grua, që i përkushtoheni po kësaj qenie, si arrini t’i përballeni barrierave, duke pasur parasysh faktin, se gratë në Maqedoni, thënë kushtimisht kanë qenë të shtypura, përvuajtura? Cili është rrëfimi juaj si vajzë, si nxënëse, studente, pra edhe si grua, si nënë?
NEBIU:Sa për ilustrim, unë i takoj gjeneratave të para ku në shkollimin e mesëm për here të parë ka pasur një pjesëmarrje më e madhe e vajzave të regjistruara ne gjimnazin e Tetovës. Ishim 12 vajza. Nëntë ( 9) tetovare në paralelen pedagogjike dhe 3 në paralelen e gjimnazit, dhe më pas u bashkëngjitën edhe 5 shoqe të tjera nga Kërçova, Dibra dhe Manastiri, gjithsej 17. Kjo përfshirje e vajzave për atë kohë llogaritej si sukses i madh. Në kontekstin e tanishëm fjala sukses tingëllon si joreale. Ishin kohëra sa të bukura aq edhe të vështira. Ishim vajza që kishim fat, sepse nuk patëm pengesë nga prindërit ta vazhdojmë shkollimin, mirëpo duhej të jemi të përkryera për rrethin që na shikonte vazhdimisht me sy shumë kritik. Duhej çdo sjellje çdo fjalë të matej mirë. Na thonin se është obligim dhe përgjegjësi të shërbejmë si rol model për vajzat dhe prindërit e gjeneratave të ardhshme, që shkollimin ta vazhdojnë edhe ato. Fat i mirë ishte ajo që profesorët tanë ishin personalitete me përgjegjësi dhe profesionistë të vërtetë. Kriteri i vlerësimit si në shkollën fillore, ashtu edhe në të mesmen ishte shumë i rreptë, shprehitë dhe disiplina e punës gjithashtu. Nuk ishte fare e rëndësishme se ne jemi vajza në një numër simbolik, dhe se kriteri i vlerësimit duhet të jetë më fleksibël, përkundrazi ishte shumë i rreptë, s’ishte fare rëndësi që notat tjera i ke të larta, nëse nuk je përgatitur në një ose dy lëndë profesionale shumë lehtë përsëritej klasa. Krahas arsimimit shumë e rëndësishme ishte edhe edukata dhe vetëdijesimi për rolin dhe pritjet nga ne. Të jemi të gjithanshme në shume sfera të zhvillimit edukativo – arsimore , kulturor dhe kombëtar. Qasje që tani më duket se mungon. Ndikim të madh në jetën time kishin pikërisht prindërit e mi, prej të cilëve kisha përkrahje dhe besim të plotë. Sa të “rrepte” në edukimin tim për virtytet njerëzore , por aq edhe liberal në zgjedhjet dhe shtigjet e mia jetësore. Pas martesës (ndonëse në moshë shume të re për kontekstin e tanishëm), përkrahja, mirëkuptimi dhe ndihma e bashkëshortit tim ishte dhe akoma është shumë e vlefshme për atë që sot jam. Kontributi dhe mbështetja e tij ka vlerë të madhe për mua si në sferë e aktivitetit tim shoqëror ashtu edhe në sferën private, sidomos në kujdesin dhe edukimin e tre fëmijëve tanë. Kemi pasur fat që edhe ata gjithnjë ishin shembullorë gjatë shkollimit, por edhe në jetën e përditshme. Janë të pavarur, profesionist të mirë. Në një moshë shumë të re krahas shkollimit, u punësuan. Jetën dhe shkollimin e tyre e siguruan vet me punën e tyre. Ata dhe bashkëshorti im janë për mua gjithçka që kam- përkrahës, shokë, miq, adhurues dhe kritik objektiv, gjë qe ka pasur rol të rëndësishëm në jetën dhe aktivitetin tim.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.