Ka dëshmi se Princi saudit i Kurorës është përgjegjës për vrasjen e gazetarit Khashoggit

Një raportuese e Kombeve të Bashkuara tha të mërkurën se dëshmitë flasin që Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman dhe zyrtarë të tjerë të lartë sauditë, janë përgjegjës për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Nuk pati një reagim të menjëhershëm të Riadit të cilit i është dorëzuar më parë raporti prej 100 faqesh, por mbretëria vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat se princi ishte i përfshirë në këtë rast.

Agnes Callamard, raportuese e posaçme e Kombeve të Bashkuara, bëri thirrje për zgjerimin e sanksioneve për të përfshirë edhe princin e kurorës dhe pasuritë e tij, derisa ai nuk e vërteton se nuk është përgjegjës.

Jamal Khashoggi, një kritik i princit dhe komunist i gazetës Washington Post, për herë të fundit është parë në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor, kur ai duhej të merrte dokumentet para martesës.

Trupi i tij u copëtua dhe u largua nga ndërtesa, tha një prokuror saudit dhe mbetjet e tij nuk u gjetën kurrë.

“Është përfundim i raportueses së posaçme se zoti Khashoggi ishte viktimë e ekzekutimit të qëllimshëm e të paramenduar, një vrasje e paligjshme për të cilën Arabia Saudite është përgjegjëse sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”, thuhet në raportin e zonjës Callamard, që pasoi një hetim prej gjashtë muajsh.

Zonja Callamard shkoi në Turqi më herët gjatë këtij viti me ekipin e saj të ekspertëve të mjekësisë ligjore dhe tha se ka marrë dëshmi edhe nga autoritetet turke.

“Ka prova të besueshme, që kërkojnë hetimin e mëtejshëm të përgjegjësisë individuale të zyrtarëve sauditë, duke përfshirë edhe princin e kurorës”, tha ajo.

“Gjithsesi, ky hetim për të drejtat e njeriut ka treguar se ka dëshmi të mjaftueshme dhe të besueshme lidhur me përgjegjësinë e Princit të Kurorës, që kërkon hetime të mëtejshme”, shtoi ajo, duke i kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të hapë një hetim ndërkombëtar./VOA