Në fakt, ishte thjesht çështje kohë që bardhezinjtë ta siguronin matematikisht trofetë, pasi edhe rivalët e këtij sezoni, Interi dhe Lazio, kanë gabuar shumë pas rikthimit të futbolli nga pauza e pandemisë. Golat ndaj ekipit gjenovez në këtë sfidë përmbyllëse të javës së 36-të i shënuan Cristiano Ronaldo në fundin e pjesës së parë dhe Bernardeschi në mesin e të dytës. Në të 77-ën Thorsby e la në inferioritet numerik Sampdorian, duke ua bërë edhe më të thjeshtë administrimin e lojës bardhezinjve në minutat e mbetura, madje në minutën e 89-të Ronaldo humbi një 11-metërsh. Me golin e shënuar ndaj Sampdorias CR7 shkon në kuotën e 31 finalizimeve në Serinë A, tri më pak se Ciro Immobile, që kryeson renditjen e goleadorëve të kampionatit italian. Sa i përket titullit të fituar, Juventusi e ka merituar plotësisht, pasi ka qenë gjithmonë lokomotiva e Serisë A, edhe pse në momente të caktuara është vënë në pozitë të vështirë nga Interi dhe Lazio. Gjihthsesi, duke marrë në konsideratë diferencën që “Zonja e Vjetër ka me rivalët e saj në Serinë A dhe faktin që nuk arriti ta fitonte Kupën e Italisë, sezoni do të konsiderohej tepër i suksesshëm vetëm në rast triumfi në Champions League.
Pas festës në fushë dhe në dhomën e zhveshjes, CR7 postoi në Instagram një mesazh për të shprehur gëzimin e tij. “E kryer! Jemi kampionët e Italisë. I kënaqur për kampionatin e dytë radhazi dhe që vazhdojmë të bëjmë historinë e këtij klubi të madh dhe të shkëlqyeshëm. Ky titull iu kushtohet të gjithë tifozëve të Juventusit, në veçanti atyre që kanë vuajtur dhe vuajnë nga pandemia, e cila na ka befasuar të gjithëve, futi në kaos mbarë botën. Nuk ishte e lehtë! Guximi juaj, qëndrimi juaj dhe vendosmëria juaj ishte forca që na duhej për t’u përballur me këtë fazë finale të ngjeshur të kampionatit; për të luftuar deri në fund për këtë titull që i përket gjithë Italisë. Një përqafim i madh për të gjithë ju”, deklaroi Ronaldo.
Leonardo Bonucci heq më shumë se një “guralec” nga “këpucët” e tij, pas fitores së titullit të nëntë radhazi të Juventusit. “Ju flas si kapiten i një ekipi të shkëlqyeshëm, në një sezon surreal. Me një pandemi. Kundër gjithçkaje dhe të gjithëve. Për tifozët tanë. Për ata që donin “play-off”. Për ata që menduan se mund ta fitonin titullin në vendin tonë. Për ata që na kritikuan dhe nuk na besuan”, shprehet Bonucci. Ndoshta këto fjalë janë “shigjetë” për rivalët e drejtpërdrejtë të këtij titulli, Inter dhe Lazio mbi të gjitha. Dhe pikërisht për shkak të vështirësisë, ky titull i nëntë radhazi është më i bukur për Leonardo Bonucci, siç pranon ai vetë.
Ndërkohë, në konferencën për shtyp, ai pati lëvdata nga thellësia e zemrës për Chiellini: “Kapiteni i këtij ekipi është dhe mbetet Giorgio. Për fat të keq, këtë sezon e kemi pasur shumë pak. Giorgio është një lider në fushë dhe jashtë saj. Unë u përpoqa të ndihmoja veten dhe ekipin në momente kritike. Shpresoj që kam pasur sukses, nuk është e lehtë. Kishte nga ata që besonin se mund ta merrnin trofeun nga gjoksi ynë, kishte nga ata që donin të bënin një kampionat të veçantë. Ishte një kampionat i veçantë për shkak të bllokimit 3-mujor nga pandemia”, deklaroi Bonucci.