Juventusi, me një shënim, konfirmoi se është bashkuar me projektin e Superligës Europiane. Në njoftimin për shtyp, ndër të tjera, bardhezinjtë specifikojnë se “klubet themeluese do të vazhdojnë të marrin pjesë në garat e tyre përkatëse kombëtare dhe, deri në fillimin aktual të Superligës, Juventusi beson se do të marrë pjesë në garat europiane, në të cilat ka të drejtë të hyjë”.
Shënimi nga klubi me president Andrea Agnelli specifikon që themeluesit e nismës dëshirojnë të zbatojnë projektin e Superligës “në marrëveshje me FIFA dhe UEFA, duke marrë parasysh interesat e palëve të tjera të interesit që janë pjesë e ekosistemit të futbollit.
Në të njëjtën kohë, për të siguruar përfundimin me sukses të projektit dhe për ta materalizuar shpejt, kompania e krijuar për Superligën mund të ndërmarrë veprime ligjore për të mbrojtur të drejtat e saj. Superliga do të organizohet dhe menaxhohet nga një kompani specifike në pronësi të secilit klub në mënyrë të barabartë.
Marrëveshja parashikon angazhimin e secilit klub për të regjistruar një pjesë të kapitalit aksionar, me një investim fillestar prej 2 milionë euro, i cili mund të rritet, nëse është e nevojshme, deri në një tjetër 8 milionë eurosh”.
Juventusi është i bindur se “Superliga do të krijojë vlera afatgjata për klubin dhe për të gjithë lëvizjen e futbollit. Klubet themeluese do të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta materializuar projektin sa më shpejt të jetë e mundur.
Megjithatë, klubi aktualisht nuk mund të sigurojë që projekti në të vërtetë do të zbatohet, ose parashikon saktë kohën e tij. Prandaj, aktualisht nuk i kemi të gjithë elementët e nevojshëm për vlerësime të hollësishme mbi ndikimin që Superliga mund të ketë në kushtet e saj financiare dhe performancën ekonomike”.
Juve, gjithashtu njoftoi se u largua nga ECA: “Andrea Agnelli ka dhënë dorëheqjen nga roli i presidentit të ECA dhe nga ekzekutivi i UEFA-s”.