Juventusi duket se është i dashuruar marrëzisht pas lojtarëve të Barcelonës. Nëse do të merrnim të mirëqenë çdo lajm të merkatos bardhezi në tre vitet e fundit, “duket” kthehet në fakt të pacenueshëm. Sipas gazetës katalanase “Sport”, kampionët e Italisë kanë rikthyer vëmendjen te mesfushori Andre Gomes. Portugezi ishte një synim i “Zonjës së vjetër” që verën e shkuar, kështu që gjërat pritet të bëhen shumë shpejt konkrete nga dy palët.
Kampioni i Evropës po luan shumë pak nën drejtimin e trajnerit Ernesto Valverde dhe ka nevojë për minuta para Botërorit të Rusisë. Kjo mund ta nxisë të pranojë ofertën e Juventusit për huazim me të drejtë blerjeje që në janar. Barcelona ka paguar 35 milionë euro për Gomesin, i blerë nga Valencia në vitin 2016. Klubi katalanas nuk dëshiron të rrezikojë që 24-vjeçarit t’i ulet edhe më shumë vlera. Përveç Juventusit, interes për të kanë edhe disa klube në Premier Ligë.