Juventusi në kërkim të një sulmuesi, nis kontaktet për Agueron

25

Juventusi është në kërkim të një sulmuesi për edicionin tjetër. Gjatë merkatos së verës, kërkoi me ngulm një lojtar në repartin e avancuar. Ishte shumë pranë Luis Suarezit, por, në fund, kur nuk u konkretizua transferimi, erdhi Morata, megjithatë spanjolli në këtë aventurë të dytë nuk ka bindur plotësisht.

Në Janar u përfol afrimi i Edin Dzekos, por as boshnjaku nuk udhëtoi për në Torino, në këtë mënyrë gjuetia e bardhezinjve për një sulmues mbetet e hapur. Mediat në Spanjë raportojnë se drejteusit e kampionëve të Italisë kanë nisur kontaktet me përfaqësuesit e Sergio Agueros. Argjentinasi është në fund të kontratës së tij me Manchester City-n dhe, për momentin, nuk ka informacione të reja rreth rinovimit të kontratës. Edicioni aktual nuk ka qenë ndër më të mirë për  32-vjeçarin, i cili, për shkak dëmtimesh, por edhe nga COVID-19, ka luajtur në vetëm 9 ndeshje në të gjitha kompeticione, duke realizuar 2 gola. Shumë pak për një “bomber” si Kun Aguero. Në 3 ndeshjet e fundit në kampionat ka qëndruar në stol, duke mos u aktivizuar qoftë për një minutë dhe gjasat janë që aventurës 10-vjeçare të argjentinasit në Manchester t’i ketë ardhur fundi.

256 gola me “Sky Blues” dhe 4 tituj të fituar, por, me sa po perceptohet, e ardhmja e sulmuesit do të jetë diku tjetër. Juventusi është gati ta rrëmbejë, duke i ofruar mundësinë që për herë të parë të luajë në Serinë A.