Vetëm 1 ndeshje larg finales së 9-të në kompeticionin e kampionëve. Juventusi po përgatit festën për kualfikimin për herë të dytë në 3 vitet e fundit në finalen e Uefa Champions League dhe për herë të 9-të në historinë e klubit.
Këtë të Martë në Juventus Stadium bardhezinjtë e Massimiliano Allegrit do të presin Monacon në një sfidë ku kampionët e Italisë do të kërkojnë të mbrojnë avantazhin 2-0 të ndeshjes së parë për të luajtur në Cardiff 3 Qerëshorin e ardhshëm në një tjetër finale Championsi këtë herë me shpresën për të bërë autokritikë, për ato 6 finale të humbura nga 8 në total. Ai dygolësh i Higuain në Principatë favorizon ndjeshëm Juventusin që nuk pëson gol në Europë prej shumë takimesh.
Për Monaco të luajë një tjetër finale pas asaj të vitit 2004, ndaj Portos, ngjason me një mision të pamundur, pasi duhet një mrekulli që skuadra Leonardo Jardim të përmbysë 2 gola disavantazh në një gjysmëfinale Championsi dhe për më tepër përballë një skuadre si Juventusi dhe në transfertë.
Monaco zotëron një potencial të jashtëzakonshëm sulmues teksa me lojtarë si Falcao, Mbappe, Bernardo Silva e Lemar ka rezultuar surpriza e vërtetë e këtij sezoni jo vetëm në Francë por edhe në Europë. Megjithatë edhe sulmi më i mirë e ka pothuajse të pamundur të thyejë një nga mbrojtjet më efikase në Europë me emra të tillë si Bonucci, Chiellini, Barazagli, Alex Sandro e Dani Alves prandaj mund të thuhet me plot gojën që ky Juventus është me të dyja këmbët në finalen e Cardiffit.
Leonardo Jardim pritet të hedhë në fushë të njëjtin formacion si në ndeshjen e parë ndërsa te Juventusi Dybala dhe Higuain kanë lënë pas problemet dhe do të zbresin rregullisht në fushë mbrëmjen e kësaj të Marte.