“Gazzetta dello Sport” flet sot për një përplasje të fortë në dhomat e zhveshjes së Juventusit, pas humbjes në finale e Kupës së Italisë ndaj Interit. Situatë e nderë dhe nerva të tensionuara; fillimisht mes Allegrit, Nedved dhe lojtarëve, më pas në diskutimin mbi situatën brenda menaxhmentit.
Nedvedi hyri i pari në dhomat e zhveshjes, ku foli me tone të ndezura. Në diskutim morën pjesë edhe trajneri, disa lojtarë të rëndësishëm, të akuzuar për qëndrimin e grupit dhe zgjedhjet e Allegrit që nuk e kishte larguar inatin as në dhomat e zhveshjes.
Nokauti dhe zemërimi pas ndeshjes ndryshuan planet. Skuadra u ndal në Romë, fluturimi për në Torino ishte të enjten në mëngjes. Secili kishte të drejtë të kthehej vetëm të nesërmen. Allegri lejoi dy ditë pushim, por i bëri të gjithë të kthehen së bashku.
Figura e Allegrit tashmë ka edhe mendimin negativ të Nedved, i cili nuk ka qenë asnjëherë “sponsor” i madh i trajnerit toskan. Gjatë asaj nate ka pasur një konfrontim të ashpër midis Nedved dhe Agnelli në prani të Arrivabene dhe Cherubini. Çeku ka frikë për të ardhmen dhe kritikon zgjedhjen për ta konfirmuar Allegrin në stolin e Juventusit.
Pra, viti i zi i Massimiliano Allegrit dhe Juventusit nuk do të kalojë në heshtje, pa u diskutuar, madje me tone të forta. Siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, trajneri toskan mori më pak pikë dhe shënoi më pak gola se Pirlo, pati performancën më të keqe në 10 vitet e fundit të klubit.
Shqetësimet sa vijnë e shtohen për klubin, duke qenë se trofetë nuk po mbërrijnë, nuk ka lojë dhe nuk duket se është fillimi i një projekti fitues. Megjithatë, ka rrethana lehtësuese si lamtumira e CR7, lëndimet dhe niveli aktual i ekipit, veçanërisht në mesfushë. Fakt mbetet që “Zonja e Vjetër” nuk është e frikshme dhe nuk bind më as në sytë e fansave të saj.