Federico Chiesa e Alvaro Morata janë kthyer në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës së Juventusit dhe do të jenë të gatshëm për derbin kundër Milanit që zhvillohet këtë fundjavë, kanë njoftuar të mërkurën mediumet italiane.
Sulmuesi i krahut, Chiesa i ka munguar Juventusit në tri ndeshjet e fundit për shkak të lëndimit dhe pritet të jetë titullar kundër Milanit, ndeshje kjo që zhvillohet të dielën mbrëma në Torino.
Chiesa këtë edicion është njëri prej lojtarëve kyç te Juventusi, me 13 gola e 11 asistime në 41 paraqitje ndërkohë Morata që u lëndua në ndeshjen e fundit ndaj Udineses dhe do të jetë gati për derbin, ka shënuar 18 gola e ka bërë 12 asistime në po aq ndeshje.
Juventusi është i treti në tabelë me 69 pikë, sa i ka edhe Milani në pozitën e katërt.