Emre Xhan nuk është rasti i parë i suksesit të “Zonjës së Vjetër” në këtë strategji. Gjithçka nisi në vitin 2011 kur u morr Andrea Barzali nga Volfsburg për vetëm 300 mijë euro. Më pas erdhën Pirlo, Pogba, Kedira, Llorente. Në total janë 11 futbollistët që Juventus ka marrë gratis, një formacion i plotë.
Ta nisim nga porta: Norberto Neto erdhi në qershor 2015 nga Fiorentina. Ai u bë portieri i dytë i Juventusit, derisa në këtë verë u shit për te Valencia. Formacioni i parametrave zero është 3-4-1-2.
Dani Alvesh erdhi falas nga Barcelona, duke firmosur një kontratë dy vjeçare me 3.5 milionë euro në sezon. Fillimi nuk ishte shumë i mirë për brazilianin, por pjesa e dytë e sezonit ishte e shkëlqyer. Në verë ai zgjodhi të largohet. Në fillim tha se do të shkonte te Mançester Siti, por përfundoi në Paris. Përpara Neto dhe Alves, një tjetër brazilian, Lusio u mor me parametër zero në vitin 2012. Nën drejtimin e Konte, ai luajti vetëm katër ndeshje si pasojë e një problemi në kavilje. Pa para erdhi edhe Andrea Pirlo nga Milani. Nga viti 2011 deri në vitin 2015 mesfushori shkëlqeu me bardhezinjtë dhe u largua si hero për në SHBA. Mjeshtër ishte afrimi i tij, sikurse ai i Sami Kedira, që Real Madridi e lejoi të largohet me parametër zero, por që tani është bërë një nga futbollistët më të mirë të Serie A. Pastaj, qershia mbi tortë, Pol Pogba. Francezi erdhi te Juventusi në verën e vitit 2012 pasi nuk rinovoi kontratën me Mançester Junajtedin, për t’u shitur te “djajtë“ për 105 milionë euro, katër vjet më vonë. Goditje e rëndësishme ka qenë edhe Koman, i ardhur gratis nga PSZH dhe i shitur te Bajern Munih për 28 milionë euro. Luka Toni, në karrierën e tij të gjatë ka qenë pjesë e Juventusit në janar 2011. Me Delneri si trajner u dëmtuan Kualiarella dhe Iaquinta, kësisoj nga Xhenoa erdhi qendërsulmuesi kampion bote. Ai luajti 15 ndeshje dhe shënoi 2 gola me “Zonjën e Vjetër”. Në janar 2013, Fernando Llorente ishte një tjetër afrim I goditur, pa pagesë! Spanjolli kërkoi largimin nga Bilbao dhe te Juventusi luajti një rol të rëndësishëm në fitimin e dy kampionateve. Një tjetër goditje në merkato që la shenjë.