Juventusi kthehet në garë për Hysajn

Lëndimet e mbrojtësve të krahut të djathtë, Danilo e Mattia De Sciglio, kanë detyruar skuadrën e Juventusit të interesohet për shërbimet e Elseid Hysajt të Napolit. Lajmi është bërë i ditur të enjten nga sajti italian “Calciomercato”, transmeton Koha Ditore, përcjellë gazeta Koha.

Mësohet se Juventusi do t’i ofrojë Napolit rreth 20 milionë euro dëmshpërblim për transferimin e Hysajt gjatë afatit kalimtar të janarit. Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, e njeh Hysajn, me të cilin ka punuar te Napoli dhe ka kërkuar transferimin e tij pas lëndimeve të fundit që kanë ndodhur.

Hysaj ishte pranë largimit nga Napoli gjatë verës, por zyrtarët e klubit refuzuan të gjitha ofertat për të.

E Juventusi ishte interesuar për të edhe në verën e vitit të kaluar. 25-vjeçari, këtë edicion ka vetëm gjashtë minuta lojë në Serie A dhe nuk bën pjesë në planet e trajnerit Carlo Ancelotti.

Hysaj ka kontratë me Napolin deri në verën e vitit 2021, kurse pjesë e ekipit është prej vitit 2015. Ai karrierë në Serie A ka bërë edhe te skuadra e Empolit.