Juventusi shpallet maetamatikisht kampion i Italisë një javë para përfundimit të Serisë A. Bardhezinjtë fituan 2-0 me Crotonen në “Juventus Stadium”, me tifozët vendas që shpërthyen në festë për titullin e gjashtë radhazi, nga 33 në total, një rekord me vete ky në futbollin italian. Mario Mandzukic dhe Paulo Dybala me një ekzekutim perfekt të një goditjeje të lirë në pjesën e parë dhe finalizimi me kokë i Alex Sandro në të 84-rën mjaftuan për zyrtarizimin këtij titulli, që është i treti radhazi për trajnerin Massimiliano Allegri në po kaq sezone në krye të bardhezinjve. Një tjetër sezon i futbollit italian i dominuar nga Juventusi, që brenda pak ditësh bëri të tijtë si Kupën e Italisë, ashtu edhe trofeun e Serisë A, ndërsa qershia mbi tortë mund të jetë Champions League, ku ne finale kampionët e Serisë A do të përballen me Realin e Madridit. Juventusi mbetet thjesht i pakonkurrueshëm në kampionatin italian, madje pati luksin që linte plot 7 pikë në tri ndeshje radhazi para sfidës me Crotonen, për ta zyrtarizuar titullin para tifozëve bardhezinj. Feston titullin e parë në Serinë A Gonzalo Higuain, që me 24 golat e tij ka qenë pika më e fortë e sulmit bashkë me bashkëkombasin e tij Paulo Dybala.