Juventusi po vlerëson disa opsione për të përforcuar ekipin e Massimiliano Alegrit për sezonin e ardhshëm. Pas zërave të shumtë në lidhje me Alvaro Moratan dhe Martial për sulmin, tani ka dalë në skenë një emër jo shumë i dëgjuar për mesfushën. Sipas të përditshmes portugeze, “Record”, skuadra bardhezi ka vënë në shënjestër mesfushorin e Sporting Lisbonë, Bruno Fernandes. Vëzhguesit e “Zonjës së Vjetër”, kanë shkruar në listën e tyre ish-lojtarin e Udinezes, Novaras dhe Sampdorias. Ata synojnë ta marrin në Torino që nga vera e ardhshme. Fernandes ka shpërthyer këtë sezon në Portugali, me 14 gola dhe 20 asistime në ndeshjet e luajtura me Sporting Lisbonën në të gjitha kompeticionet (50 ndeshje). Pengesa kryesore është klauzola 100 milionë euro për prishjen e kontratës së tij. Gjithashtu, për të interesohet edhe Atletiko Madrid i Diego Simeone. Trajneri argjentinas ka mbetur i befasuar nga ai në përballjen e dyfishtë të zhvilluar kundër Sporting në “Europa League” dhe synon ta marrë në “Wanda Metropolitano” sezonin e ardhshëm.