Juventusi është shumë pranë transferimit të dy prej lojtarëve më të kërkuar në merkaton e verës: Matthijs de Ligt dhe Paul Pogba. Dy yje që kushtojnë shumë, por gjithçka është e mundur nëse marrëveshja sponsorizohet nga një menaxher me emër si Mino Raiola.
Menaxheri italian i ka nën kontroll të dy këta yje dhe po negocion me bardhezinjtë për të siguruar transferimin e tyre në Torino. Sipas “Tuttosport”, Pavel Nedved dhe Mino Raiola janë takuar këtë javë në Montekarlo për të diskutuar për transferimin e dy lojtarëve dhe jo vetëm.
Nedved dhe Raiola kanë diskutuar për të realizuar transferimin e De Ligt nga Ajax dhe Pogba nga Manchester United te Juventusi. Konkurrenca për të dy këta lojtarë është e fortë (holandezi kërkohet nga PSG dhe francezi nga Real), por duket se menaxheri bën tifo për bardhezinjtë, ndaj është gati të ndihmojë kampionët e Italisë.
Problem do të jetë rroga që kanë dy lojtarët dhe në këtë rast synohet ndihma e Raiola, që De Ligt dhe Pogba të pranojnë një ulje të pagës së tyre. Nedved e Raiola kanë diskutuar edhe për të ardhmen e Moise Kean, kontrata e të cilit me Juven skadon verën e ardhshme.