Juventusi e ka mposhtur Manchester Unitedin midis Old Trafford, për t’i rrëmbyer pikët e plota nga ndeshja e vlefshme për xhiron e tretë të fazës së grupeve në Champions League. “Zonja e Vjetër” triumfoi 1-0 me golin e Paulo Dybalas. Argjentinasi shënoi në minutën e 17’ të ndeshjes. Deri në fund të takimit, dy skuadrat kishin rastet e veta, por portat nuk u tundën më. Cristiano Ronaldo u rikthye në shtëpi dhe luajti nga fillimi në stadiumin q ka dhuruar spektakël dikur për Të Kuqtë, por nuk la gjurmë në këtë mbrëmje. Pas kësaj fitore, Juve ka shkuar në 9 pikë pas 3 takimeve dhe prin në Grupin H me 5 pikë më shumë se Manchester Unitedi.
Pas 5 ndeshjeve pa fitore (4 humbje, 1 barazim) Real Madridi është kthyer te triumfi. Të besuarit e Julen Lopetegui e mposhtën me rezultat të ngushtë Viktoria Plzenin në “Santiago Bernabeu”, 2-1, raporton Insporti. Reali e nisi furishëm ndeshjen, duke shënuar për 1-0 pas vetëm 11 minutave lojë, por u desh të presin deri në atë të 56’ për të shënuar për 2-0 me anë të Marcelos. Teksa po tentonin të kontrollonin ndeshjen, vendasit pranuan gol në minutën e 79’, ishte Patrik Hrosovsky ai që dridhi tifozët për disa minuta, por në fund Reali mori pikët e plota ër herë të parë pas më shumë se një muaji pasi fitorja e fundit datonte me 22 shtator. Pas kësaj fitore, Reali ka shkuar në kuotën e 6 pikëve dhe gjendet në pozitën e dytë, prapa Romës që gjithashtu ka 6 pikë, por mban pozitën e parë për shkak të goldiferencës. Ndeshjen e radhës Reali do ta zhvillojë në kuadër të La Ligas, në Camp Nou të dielën kundër Barcelonës, nga ora 16:15.