Për Juventusin, merkato ka nisur që tani. Do të ketë largime, por edhe afrime “big”. Sipas “Sky Sport”, Sergej Milinkovic-Savic është emri më “i lakuar” nga drejtuesit bardhezi dhe, madje, “Zonja” ka shkuar deri aty sa të arrijë akord formal me futbollistin serb, që sapo fitoi Kupën e Italisë me Lazion.
Sezoni i ish-futbollistit të Genk nuk ka qenë ndër më të mirët, edhe pse në fund u vlerësua si mesfushori më i mirë i Serie A 2018-2019. Claudio Lotito, presidenti i Lazios, megjithatë, nuk lëshon pe për vlerën e kartonit. Në verën e shkuar, ai refuzoi 120 mln euro, por ky version i pranuar nga presidenti bardhekaltër ende vazhdon të jetë mister, pasi nuk faktohet kurrë.
Edhe këtë seksion merkatoje, Lotito do jo më pak se 100 mln euro. Shifër e quajtur e lartë nga Juventusi, që ka futur “mik” agjentin e Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes, por edhe agjentin e serbit, Mateja Kezmamn.
Milinkovic ka dhënë “ok”, por nuk do të bëjë asnjë presion te Lotito, që mund ta detyrojë edhe një sezon të qëndrojë, edhe pse është e vështirë.