“Virusi” vazhdon. Pas rastit “Axel Witsel”, të cilit iu afrua shumë, por nuk e mori dot, Juventusi pritet të ketë një fund të ndryshëm me “telenovelën Emre Xhan”. Gjermani është në fakt objektivi kryesor për të forcuar mesfushën e bardhezinjve në sezonin 2018-2019, kur, ndoshta, ai mund të marrë vendin e bashkatdhetarit Sami Kedira, që synon ta përfundojë karrierën e tij në SHBA. Emre mund të arrijë te Juventusi si transferim i lirë, pasi kontrata e tij me Liverpulin skadon qershorin e ardhshëm. Siç shkruan “Tuttosport”, Juventusi do t’i informojë “Reds” në janar për kontaktet e vendosura tashmë me lojtarin e tyre. Më shumë se nga Liverpuli, megjithatë, bardhezinjtë do të duhet për t’u mbrojtur nga konkurrenca e fortë e Mançester Junajtedit të Murinjos, edhe pse Juventusi shpreson të ketë në anën e vet deklaratat e bëra një muaj më parë nga menaxheri i kombëtares së Gjermanisë, Oliver Bierhof. “Emre me 80 për qind do të shkojë te Juventusi”, deklaroi Bierhof. Vendimtare në këtë kuptim mund të jenë bisedimet e mesfushorit me dy shokët e tij në kombëtare, si Hovedes dhe Khedira, tashmë të stacionuar në Torino dhe të gatshëm për të sponsorizuar zgjedhjen bardhezi. Marotta pret dhe përgatitet për të bërë një tjetër goditje pa asnjë kosto. Kuptohet, nëse e lejon Mançester Junajtedi