Juventusi dhe Real Madridi, dy finalistët e Ligës së Kampionëve të sezonit të kaluar, do të përballen sërish në këtë kompeticion, por tashmë që në çerekfinale. Pritet një tjetër përplasje e madhe evropiane.
Gjorgjo Kielini u rishfaq në fushë, pas një lëndimi kundër Milanit në ndeshjen e fundit të Juventusit në Seria A. Mbrojtësi italian i ka pastruar të gjitha dyshimet që kishte në lidhje me disponueshmërinë e tij për sfidën e radhës ndaj Real Madridit, për shkak të një dëmtimi në kofshë. “Humbja në finalen e Çampionsit është një fund i dhimbshëm, sigurisht, por është shumë pozitive që do të luajmë sërish ndaj Real Madridit. Këtë vit kemi një bindje të veçantë për të bërë diçka të madhe”, – thotë italiani. Këtë sezon, bardhezinjtë mendojnë se janë rritur dhe janë më të përgatitur, ndaj do të përpiqen t’i eliminojnë “Los Blancos”. “Spanjollët gjithmonë janë favoritë, Mançester Siti dhe Bajern Munih janë mirë, por Real Madridi dhe Barça kanë diçka tjetër. Kristiano ka ndryshuar mënyrën e tij të luajturit në dy vitet e fundit. Fuqia e tyre vjen ngaqë duan të dy jenë më i miri. Pastaj Unë vlerësoj në maksimum cilësisë teknike dhe eksplozive të Sergjo Ramos. Është qendërmbrojtësi më i mirë në botë dhe mund të shënojë shumë gola, sidomos me kokë”, deklaroi Kileini.
Në anën tjetër, mesfushori Blaise Matuidi pohon se Juventusi i ka të gjitha mundësitë t’ia dalë. “Do të jetë e vështirë të eliminojmë Real Madridin, por Juventusi i ka të gjitha mundësitë për t’ia dalë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme ne e dimë. Do të jetë një ndeshje e komplikuar sepse ata janë një skuadër e madhe dhe janë kampionët e Evropës në fuqi. E dimë se mund t’i hapim probleme dhe do të japim gjithçka në ndeshjen e parë në fushën tonë. Kemi besim te kualifikimi”, deklaroi Matuidi.
Për sfidën me Realin ka folur edhe portieri Buffon. “Është një sfidë shumë e rëndësishme për ne, por e dimë sa e vështirë do të jetë pasi do të luajmë ndaj një skuadre më të fortë se ne dhe me individë të pabesueshëm. Gjithsesi e dimë mirë se në dy ndeshje, nuk fiton gjithmonë ekipi më i mirë. nëse arrijmë të bëjmë më mirë se ta në dy ndeshje, atëherë do të arrijmë diçka të mrekullueshme. Kur luan ndaj një skuadre si Real Madridi nëse heq një lojtar nuk bën shumë diferencë. Por duke ditur që do të përballem me Ronaldon kam qëndruar disa net pa gjumë”, deklaroi Buffon.
Trajneri i Realit, Zinedin Zidan thotë se përballja e sotme do të jetë krejtësisht ndryshe. “Çdo gjë do të jetë ndryshe. Mund të kemi qenë dy herë radhazi kampionë, por kjo nuk na ndihmon. Ky fakt thjesht na lejon të themi se duam të mbrojmë titullin tonë, por asgjë më shumë. Gjithçka do të jetë e nevojshme të provohet në terren, ku duhet të jemi efikas, madje edhe më shumë se vitin e kaluar. Dhe do të jetë një ballafaqim shumë i vështirë”, deklaroi Zidan.
Në përballjen tjetër, Sevilja do të përballet me Bajern Munihun. Ndeshja e parë do të luhet në “Ramon Sanchez –Pizjuan”. Favorit konsiderohet skuadra bavareze, por këtë duhet ta dëshmojnë në fushën e lojës, derisa nuk duhet nënçmuar edhe skuadra spanjolle, e cila në radhët e saja ka lojtar të mirë, ndërsa tifozët janë shumë të pasionuar dhe vënë ekipet kundërshtare në presion dhe nuk është lehtë të fitosh. Ndryshe, Bajerni përfshiu edhe Arturo Vidal dhe Bernat në listën e lojtarëve për ndeshjen e parë çerekfinale. Kiliani dhe spanjolli nuk luajtën në fitoren 6-0 të së shtunës kundër Borussia Dortmund, pasi ishin të lënduar. Në këtë mënyrë, trajneri Jup Henkes do ta ketë të plotë grupin e lojtarëve, me përjashtim të Manuel Nojer të lënduar dhe sulmuesit Kingslej Koman, i “ndarë” nga gara që nga shkurti.