Kjo e sotmja për Leonardo Bonuccin nuk do të jetë një ndeshje si të tjerat. Jo në të gjitha aspektet. Kapiteni i Milanit në sezonin e kaluar, me 51 ndeshje dhe 2 gola, mbrojtësi qendror 31-vjeçar nga Viterbo, do të përballet në Jeddah me shokët e tij të vjetër të ekipit.
Në kampionat, me rastin e suksesit të fundit të Juventusit në “San Siro”, mbrojtësi axurr qëndroi në stol për 90 minuta. Një zgjedhje e bërë nga Max Allegri, në emër të rotacionit. Tani, megjithatë, nuk ka asnjë siklet të përzgjedhjes nga trajneri bardhezi. Me Barzagli dhe Benatia jashtë, me Rugani jo në gjendje të përsosur, trajneri livornez, pra, ka shumë pak për të shpikur.
Në finalen e Superkupës së Italisë, që luhet sot, në orën 18:30, ai do të ketë në qendër të mbrojtjes Bonucci dhe Chiellini. I pari do të jetë në rolin e “djalit plangprishës”, si personi që, në imagjinatën kuqezi, duhej të ishte bërë simbol i rilindjes së “Djallit”. Në vend të kësaj, pas një viti të vetëm të kaluar në “San Siro”, erdhi rikthimi te Juventusi.
Veprim i cili, megjithatë, nuk e fshin kujtesën e mirë të lënë në “Milanello”, edhe pse eksperiencë kalimtare, por, në të njëjtën kohë, shumë profesionale. Ashtu siç u nënvizua, në rrethana të ndryshme, nga Rino Gattuso. Ky i fundit, majin e kaluar e kishte përkëdhelur idenë e ngritjes së trofeut të tij të parë si trajner i “Djallit”, së bashku me numrin e tij të vjetër 19.
Sidoqoftë, asgjë për t’u shënuar. Humbja e thellë 4-0 në finalen e Kupës së Italisë vetëm sa e rriti hendekun e kuqezinjve me Juventusin. “Shkuarja te Milani ishte një vendim i marrë në një moment zemërimi”. Këto ishin fjalët e Bonucci në prezantimin e dytë te bardhezinjtë. Deklaratë që qartësisht e ka trishtuar popullin milanez.
Nga ana tjetër, “Zonja e Vjetër”, pas vlerësimit të përpiktë të çështjes, vendosi të mirëpriste një nga mbrojtësit më të mirë në Europë. Vendimtar në këtë rast ishte mendimi pozitiv i dhomës së zhveshjes bardhezi. Vendimtare, mbi të gjitha, puna e kujdesshme e agjentit Alessandro Lucci.
“Ne me të vërtetë duam ta sjellim në shtëpi trofeun e parë të sezonit dhe kemi ardhur këtu në Jedah me entuziazëm për të arritur objektivin. Do të kemi nevojë për një Juventus agresiv dhe të kujdesshëm, sepse Gattuso ka treguar se mund t’i japë Milanit shpirtin e vet luftarak, çka mund të na krijojë vështirësi.
Ne do të duhet t’i mbyllim hapësirat, të parandalojmë driblimet dhe të përfitojmë nga gabimet, që mund të bëjë kundërshtari. Duam të luajmë një finale të madhe përpara një stadiumi të mbushur plot. Ne jemi mësuar me këtë situatë, sepse stadiumi “Allianz” është gjithmonë shumë i nxehtë, por përherë është mirë të luash në impiante të tilla të mrekullueshme dhe t’i shohësh biletat të shitura të gjitha. Do të jetë emocionuese dhe kjo do të na japë më shumë përgjegjësi”, – tha Bonucci në prag të Superkupës Italiane.
Kushtrim i qartë: të fitohet trofeu i parë sezonal. Mënyra më e mirë, padyshim, për të lënë një eksperiencë jo fort të kënaqshme prapa…