Juventus-Milan do të luhet këtë të shtunë, me start orën 18:00, në stadiumin “Allianz” të Torinos. Ky do të jetë ballafaqimi i 168-të mes dy ekipeve të njohura italiane në Serie A. Pasi kaloi me sukses pengesën e Cagliarit, Massimiliano Allegri dhe të tijtë do të ndeshen sot me Milanin. Kjo është kryendeshja e javës së 31-të në Serie A.
Gennaro Gattuso dhe kuqezinjtë janë nën presion, sepse në sfidat e fundit kanë bërë hapa falsë dhe rrezikojnë seriozisht zonën “Champions”. Nëse bardhezinjtë, pavarësisht nga “plagët” e shumta, vazhdojnë të fitojnë, “Djalli” e përkeqëson më tej momentin e vështirë. Pozicioni i trajnerit Gattuso vihet seriozisht në dyshim.
“Zonja e Vjetër” kryeson renditjen me 81 pikë, si rezultat i 26 fitoreve, 3 barazime dhe 1 humbjeje. Ajo ka një avantazh rekord prej 18 pikësh ndaj Napolit të vendit të dytë në Serie A. Milani mban vendin e katërt me 52 pikë, falë 14 fitoreve, 10 barazimeve dhe 6 humbjeve. Pas distancimit nga Interi, kuqezinjtë kanë tani vetëm një pikë avantazh nga Atalanta, e pesta.
Kampioni Cristiano Ronaldo do të jetë mungesa e madhe e superndeshjes, sepse vijon riaftësimin, pas dëmtimit me kombëtaren. Portugezi ka shënuar 19 gola në 26 ndeshje të kampionatit, duke qenë golashënuesi më i mirë i “Zonjës së Vjetër”. Një hap më lart është Krzysztof Piatek, i cili ka shënuar gjithsej 20 gola, duke u bërë lojtari më “pjellor” i “Djallit”.
Me këtë të fundit , polaku ka realizuar 7 gola në vetëm 10 ndeshje të luajtura. Juventusi vjen nga humbja me Genoa dhe dy fitoret radhazi në 3 ndeshjet e fundit, ndërsa Milani ka dy humbje radhazi dhe një barazim në shtëpi, me Udinese, në 3 ndeshjet e fundit.
Formacionet e dy skuadrave janë me probleme. Allegri ka riaftësuar disa lojtarë për ndeshjen kundër kuqezinjve, në veçanti Dybala dhe Spinazzola, që do të jenë në fushë nga minuta e parë. Me siguri do të luajë edhe Mandzukic, ndërsa Cristiano Ronaldo, Barzagli, Caceres, Cuadrado, Douglas Costa dhe Perin mbeten në “infermieri”. Ndoshta bardhezinjtë do të zbresin në fushë me modulin 3-4-1-2, me Bernardeschi në mesfushë dhe De Sciglio në trion mbrojtëse. Pjesa tjetër: Chiellini, Alex Sandro, Pjanic dhe Matuidi. Gati për të luajtur është edhe Khedira.
Probleme edhe për Gattuso, i cili do të duhet të heqë dorë për një muaj nga Paqueta, i lënduar me Sampdorian. Për disa javë duhet të bëjë edhe pa portierin Donnarumma, edhe ky i dëmtuar. Conti është ende jashtë. Ndërmjet shtyllave do të vendoset Reina, me Calabria në të djathtë dhe Rodriguez në të majtë të mbrojtjes, ndërsa qendra do të përbëhet nga çifti Musacchio-Romagnoli. Në mesfushë ka vend për Kessie, Bakayoko dhe Calhanoglu. Biglia ulet në stol. Sulmi kuqezi do t’i besohet “tridentit” Suso-Borini-Piatek.
Formacionet e mundshme:
JUVENTUS (3-4-1-2): Szczesny; De Sciglio, Bonucci, Rugani; Cancelo, Emre Can, Bentancur, Spinazzola; Bernardeschi; Dybala, Mandzukic.
MILAN (4-3-3): Reina; Calabria, Musacchio, Romagnoli, Rodriguez; Kessié, Bakayoko, Calhanoglu; Suso, Piatek, Borini.