Juventus sapo ka konfirmuar divorcin me mbrojtësin Brazilian, Dani Alves. Ishte drejtori administrativ i bardhezinjve, Marotta, ai që i ka dhënë publikisht lamtumirën ish-futbollistit të Barcelonës. “Nuk bëhet fjalë për krisje të marrëdhënieve, por motivacioni është thelbësor për një futbollist. Dani Alves ka kuptuar se dëshiron të provojë një tjetër eksperiencë alternative. Do të bëjmë një zgjidhje konsensuale dhe i urojmë atij shumë fat. Sigurisht që ato që ai ka thënë kanë lënë hidhërim, por konfirmoj se nuk ka patur asnjë krisje të marrëdhënieve ”, deklaroi drejtori i “Zonjës së Vjetër”, Marotta.
Alves u transferua te gjigantët e Italisë verën e kaluar, pasi kishte luajtur më parë për tetë sezone me skuadrën e Barcelonës në Nou Camp. Por, pavarësisht se shfaqi dhe dëshmoi klasin e tij botëror, pas 12 muajve, 34-vjeçari hasi vështirësi të përshtatej në Itali. Mësohet se ai është përpjekur madje që në janar për një rikthim të mundshëm te Barcelona. Pas largimeve të Pablo Zabaleta dhe Bacary Sagna, Dani Alves përflitet shumë për një transferim të mundshëm te Manchester City, ku do të ribashkohej me ish-trajnerin e tij, Pep Guardiola. Alves ka qenë një nga blerjet e para të Guardiolas te Barcelona, ku u transferua në vitin 2008.