Trajneri i Juventus, Massimiliano Allegri, ka paralajmëruar skuadrën e tij të ketë kujdes nga vetëkënaqësia, teksa do të presë Napoli në raundin e parë për gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Shpresat e Napoli, për të vazhduar garën e titullit në Serie A, kanë zbritur në pikën më të ulët, pas humbjes 2-0 ndaj Atalanta, që i lë 12 pikë larg Juventus kryesues. Juve fitoi 2-0 ndaj Empoli në Torino, ditën e shtunë, duke arritur fitoren e 30 radhazi në Torino.
“Tani, përqendrimi ynë maksimal shkon për Kupën e Italisë. Duam të arrijmë për herë të tretë radhazi në finalen e kësaj veprimtarie dhe e dimë se nuk do të jetë e lehtë sepse do të kemi përballë një skuadër të uritur, pas humbje së pësuar ditën e shtunë, – tha Allegri. – Për ne është shumë e rëndësishme që kjo ndeshje luhet në fushën tonë dhe synojmë ta mbajmë rrjetën të paprekur.”
Juventus, që synon për herë të tretë radhazi të fitojë edhe kampionatin edhe Kupën e Italisë, e kryeson Serie A me shtatë pikë avantazh ndaj Romës. Ashtu si bëri edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit, Allegri do të lërë pushim Gianluigi Buffon duke aktivizuar Norberto Neto. “Neto do të luajë nesër, – tha Allegri. – Ai është një portier i madh dhe ka qenë gjithmonë gati sa herë e kemi kërkuar. E vetmja arsye përse ai është numri 2 është prania e Buffon në ekip.”
Krahas kampionatit dhe kupës, Juventus është në garë edhe në Champions League ku është me një këmbë në çerekfinale, pasi ka fituar 2-0 ndaj Porto nënqeshjen e parë. Allegri, që e çoi Juven deri në finalen e Champions në vitin 2015 ku u mund nga Barcelona, shtoi: “Për të përmbushur kalendarin do të ishte shumë e bukur që të luanim ndeshjen e fundit në të gjitha veprimtaritë ku marrim pjesë. Ashtu si gjërat janë tani kemi edhe 15 ndeshje për të luajtur, por uroj ta shtojmë këtë numër, sepse ndoshta do të mërzitemi po të luajmë vetëm një ndeshje në javë.”
Në përballjen e fundit mes të dy skuadrave, e vlefshme për Serie A, Juventus fitoi 2-1 ndaj Napoli në tetor. Gonzalo Higuain do të rikthehet si kundërshtar ndaj skuadrës ku luajti deri vjet dhe u shpall golashënuesi më i mirë i Serie A. 39 ndeshje janë luajtur me Juventus dhe Napoli në historinë e Kupës së Italisë, 20 fitore ka arritur Juve, 9 ndeshje janë mbyllur në barazim, ndërsa Napoli ka fituar 10 ndeshje.