Objektivi sezonal i Juventus është fitimi i trofeut të Champions League, për këtë në Torino ka mbërritur Cristiano Ronaldo. Blerja e futbollistit jashtë serie ka sjellë në kampin bardhezi shumë besim për të gjithë, duke nisur nga legjenda e “Zonjës së Vjetër” Nedved, e deri te Bernardeschi, që pas rezultateve zhgënjyese me përfaqësuesen e Italisë, në një intervistë të dhënë për “Sky” ka pranuar ambicien e lartë të bardhezinjve: “Jemi vërtetë të fortë, mbase jemi skuadra favorite për fitimin e Champions League”.
“Kemi një skuadër të fortë, të kompletuar dhe me futbollistë të mëdhenj. Kjo është e vërteta. Jemi skuadra favorite. Nuk do të thotë se do të jetë e lehtë. Champions League është një kompeticion shumë i veçantë, ku ka aspekte që mund të ndryshojnë nga njëri moment në tjetrin. Të jesh favoriti nuk do të thotë të fitosh, por natyrisht është fakti që ne ndihemi një skuadër shumë e madhe, mjaftueshëm e fortë për të bërë maksimumin. Por kjo duhet dëshmuar në fushë”, deklaroi futbollisti i Juventus, Bernardeschi.