Alehandro “Papu” Gomez është një nga yjet e Atalantës, tashmë jo më një zbulim por një realitet i bukur i Serisë A. Argjentinasi ndër të tjera është edhe një frekuentues i rregullt i rrjeteve sociale. Dhe pikërisht pas Atalanta-Inter, ndeshja e zhvilluar të shtunën e kaluar e mbyllur me rezultatin 1- 1, nuk kanë munguar bisedat me të apasionuarit që ndjekin profilin e tij. Me njërin në veçanti ka pasur një diskutim…
SULMI – Fansi në fjalë, interist, ka dhënë mendimin e tij lidhur me sfidën e mësipërme, duke i bërë komplimente skuadrës së Xhan Piero Gasperinit. “Vetëm kundër Juventusit nuk luani kurrë. Me Interin shikoj gjithmonë paraqitje të mëdha, ndërsa kundër bardhezinjve vetëm humbje. Ndoshta sepse trajneri juaj është juventin. Përtej kësaj më duhet t’ju bëj elozhe, luani një futboll fantastik!”
REPLIKA – Një akuzë, nëse duam ta konsiderojmë të tillë, me të cilën pikërisht kapiteni dhe numri 10 i bergamaskëve nuk ka qenë aspak dakord dhe ka dashur t’i përgjigjet. “Përshëndetje, në ndeshjen e fundit me Juven fitonim 1-0 deri në minutën e 80-të. Në fund humbëm. Dhe gjatë viteve të fundit kemi regjistruar gjithmonë paraqitje të mëdha kundër kampionëve të Italisë, duke fituar 3-0 në Kupën e Italisë dhe duke barazuar në shtëpi në kampionat dhe jashtë duke luajtur gjithmonë si të barabartë. Ndoshta është vetëm çështje fati që kundër jush ka pasur përherë rezultate pozitive. Shpresoj që përgjigjja ime të mund të kënaqë, një përqafim”.
TË TJERËT – Por mbështetësi i mësipërm nuk ka qenë i vetmi që ka pasur diçka për të thënë. Një tjetër ka nënvizuar: “Një paraqitje e bukur e Atalantës kundër Interit, megjithatë një pyetje më vjen spontane… Nuk e kuptoj pse kundër Interit keni dhënë gjithmonë maksimumin ndërsa kundër ‘Rubentusit’ në 16 minutat e fundit pësuat 3 gola…”. Ndërsa dikush tjetër shkruante me ironi: “Kujdes… tani kundër Juventusit trajneri juaj bën rrotacion duke aktivizuar në fushë debutuesit”.