Cristiano Ronaldo nuk ka pasur kurrë ndonjë dyshim në vetvete. Që nga mbrëmja e lëndimit, në ndeshjen midis Portugalisë dhe Serbisë, ai ka qenë gjithmonë i bindur se mund të jetë në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ndaj Ajax-it. Siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport” për situatën e Cristiano Ronaldos, tani ka shumë optimizëm edhe te Juventusi. Klubi bardhezi, në ditët e para nuk ka dashur të japë shumë detaje mbi gjendjen e dëmtimit të yllit të vet, por tashmë ka më shumë dritë në këtë drejtim. Konsulta mjekësore e së hënës ishte vendimtare. Ajo tregoi se nuk kishte më probleme me fibrat e muskujve. Ronaldo është trajnuar vetëm këto ditë, duke bërë shumë fizioterapi dhe ushtrime specifike.
Kjo është dokumentuar pothuajse çdo ditë në profilin e tij në Instagram. Portugezi njoftoi se e njihte mirë trupin e tij dhe se donte të ishte me çdo kusht në sfidën e parë kundër Ajax. Dhe të mendosh që nuk është personi, i cili thotë se dëshiron ta bëjë diçka, pastaj nuk ia arrin asaj. Një rol kyç në këtë periudhë luajti Javier Santamaria, një fizioterapeut, i cili ka punuar shumë vite te Real Madridi.
Ai është tani te Juventusi falë yllit portugez. Santamaria e ka ndjekur nga afër pesë herë fituesin e “Topit të Artë” edhe në seancat shtesë stërvitore, në shtëpi. Duke qenë një ndër njerëzit më afër CR7, prej tij kanë dalë edhe zëra për një grumbullim të mundshëm të luzitanit për ndeshjen kundër Milanit, të shtunën, por marrja përsipër e një rreziku të tillë nuk do të kishte kuptim, me titullin tani të sigurt.
Kundër kuqezinjve, megjithatë, do të jenë shumë lojtarë, që i kanë kaluar problemet e tyre fizike. Mandzukic, Dybala dhe Spinazzola janë më të sigurtët për të luajtur. Cuadrado, Douglas Costa dhe Khedira janë trajnuar me pjesën tjetër të ekipit këto ditë dhe po synojnë të paktën grumbullimin.