Nga finalja e Champions League në vitin 2015 kanë kaluar më pak se dy vjet, por Juventus-Barcelona nuk është më e njëjta ndeshje. Duke i hedhur një sy formacioneve që zbritën në fushë në Berlin, bie menjëherë në sy një diferencë e madhe në radhët e bardhezinjëve, mes protagonistëve të atyre ditëve dhe të sotmit. Në më pak se 24 muaj, Juventus i ka dhënë lamtumirën gjashtë futbollistëve: Morata, Pogba, Evra, Pirlo, Vidal dhe Tevez. Te Barcelona nuk ka pasur “tërmet” dhe në krahasim me formacionin, që fitoi Champions janë shtuar vetëm Dani Alves dhe Xavi Hernandez. Më 6 qershor 2015, u mbyll 3-1 për ekipin “blaugrana”, por sot ajo ndeshje ka një shije ndryshe, sepse Juventus ka bërë shumë ndryshime. Në krahasim me finalen e Berlinit, në Torino ka gjashtë fytyra të reja në formacion: Madzukic, Dybala, Pjanic, Higuain, Khedira dhe Alex Sandro. Praktikisht, një revolucion. Jo vetëm me futbollistë, por edhe në modul. Sepse Allegri ka vendosur të bazohet te 4-2-3-1 duke u bazuar te forca e kolektivit, për të fituar në Europë. Sigurisht që në krahasim me vitin 2015 mungojnë kampionë të tillë si Pogba, Vidal, Pirlo dhe Tevez, por mund të bazohet te golat e Dybala dhe Higuain, te volumi i lojës nga Mandzukic, te shpikjet e Cuadrado, te përvoja e Khedira dhe te regjia e Pjanic. Një ndryshim radikal, neto, që e bën Juventus ndryshe nga viti 2015. Nga ana tjetër, në vitin 2015, Barcelona nuk ka ndryshuar shumë. Dani Alves dhe Xavi janë të vetmit që mungojnë. Me përjashtim të ndonjë spostimi të vogël taktik si kalimi i Serio Roberto në të djathtë të mbrojtjes dhe aktivizimi i Umtiti në qendër të mbrojtjes, pjesa tjetër e katalanasve është e njëjtë, me të njëjta fytyra, Pique në mbrojtje, Busquets e Iniesta në mesfushë dhe treshja e e frikshme Messi-Neymar-Suarez. Dy vjet më pas, Juventus e di se çfarë Barcelona do të ketë përballë, ndërsa katalanasit do të ndeshen me të tjerë lojtarë dhe ide, kjo është shpresa e Allegri për të kaluar pengesën e madhe.