Jusuf Buxhovi: Ibrahim Rugova, Rilindasi i fundit. Është koha të flitet për Unionin e dy shteteve shqiptare

265

Jusuf Buxhovi për mua është një emër i ngulitur në mendje qysh nga mosha 7 vjeçare. Më kujtohet që pas një udhëtimi në Prishtinë në vitin 1972, im atë solli me vete një sasi të konsiderueshme librash (botime te “Rilindja”) që ia kishin dhuruar atje, mes të cilave edhe vëllimin me tregime “Cirku” të Jusuf Buxhovit (është pikërisht libri i parë që kam lexuar prej tij). Edhe pse i vogël, leximin e kisha ushqim të përditshëm dhe përmes atyre librave (gjysëm të ndaluar do të thoja) munda asokohe të krijoj perceptimet e para për krijuesit e Kosovës, Qosen, Shkrelin, Podrimjen, Vincën, Anton Pashkun e të tjerë. Ishte një letërsi krejt ndryshe nga ajo që na servirte Tirana zyrtare… Me pas kujtoj që kam lexuar plot endje “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, botuar nga “Naim Frashëri… Ndaj dhe nuk e fsheh që bashkëbisedimi sot me Jusuf Buxhovin është një kënaqësi krejt e veçantë për mua. Shkrimtari, publicisti dhe historiani i mirënjohur sjell në Flasshqip një rrëfim të përkorë, por njëherazi të drejtpërdrejtë e plot mesazhe që nënkuptohen mes radhëve. Rrëfimi që nis qysh nga fëmijëria në Rekën e Keqe, rinia dhe formësimi së brendshmi i identitetit shqiptar, vizitat dhe mbresat nga Shqipëria e kohës komuniste, vazhdon me ngjarjet e vrullshme, që zanafillën e kanë në vitin 1989 kur u themelua LDK. Ato zhvillime më pas do sillnin një lëvizje të pandalshme e cila do të kurorëzohej me çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Në kjo periudhë historike e pazakontë, Buxhovi vlerëson rolin e Ibrahim Rugovës, i cili në sytë e tij mbetet Rilindasi i fundit. Për ata që nuk e dinë, Jusuf Buxhovi  është dhe autor i libretit të operas së parë kosovare “Goca e Kaçanikut”, kompozim i Rauf Dhomit, shfaqur për herë të parë në Tiranë në vitin 1979. Në korpusin e pasur të veprave të tij spikasin edhe ato me karakter historik ku veçohet “Historia e Kosovës” në disa vëllime, “Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë”, që u botua vjet si dhe publikimi i ditëve të fundit “Dardania-antika, mesjeta”. Në librin e tij të fundit, me kurajo intelektuale e argumenta të bazuara në dokumente historike, autori demaskon si mit te rremë, mitin “Kosova djepi i Serbisë”. Historiografia shqiptare, insiston ai, “duhet të lirohet nga diktati i gënjeshtrave serbe rreth Mesjetës dhe shqiptarëve, pastaj të rishikojë edhe ndërlidhjen me Pellazgët dhe të rikthejë Maqedoninë në kuadër të botës ilire, ku edhe e ka vendin. Ka edhe çështje të tjera ku mund të veprohet, por ajo që është vitale për ne është ridefinimi i Antikitetit dhe Mesjetës”. Në bashkëbisedim jemi ndalur pak edhe tek politika e ditës në Tiranë e Prishtinë për të cilën nuk mungon kritika e ashpër nga shkrimtari i mirenjohur. Dhe më në fund, për Jusuf Buxhovin, SHBA mbetet aleati ekzistencial i shqiptarëve dhe tashmë është koha që të mendohet për opsionin e krijimit të Unionit të dy shteteve shqiptarë brenda kuadrit të hapësirës së BE…

Flasshqip: Duke ju falenderuar së pari që pranuat ftësën për këtë bashkëbisedim, nëse kthehemi pas në kohë, si e kujtoni fëmijërinë dhe rininë tuaj?

Jusuf Buxhovi: Ruaj imazhin e një kohe virgjër, të dashur dhe të papërsëritshme në Dukagjin dhe veçmas në pjesën e Rekës së Keqe, që mbetet në kujtesë të përhershme… Këto pamje, janë të shkapërderdhura në veprën time letrare… Vitet e rinisë, për mua,  po ashtu, ishin vite të arta, prej nga, nga bota e përfytyrimeve hyhet në realitetet jetësore…

Flasshqip: Kur e keni ndjerë për herë të parë që vokacioni juaj do të ishte arti i të shkruarit?

Jusuf Buxhovi:  Këtë e kam ndjerë si fëmijë, pikërisht në ambientin e Rekës së Keqe, si gjakim për të dalë jashtë saj, jashtë horizontit që në lindje përfundonte te maja e Pashtrikut dhe në perëndim te maja e Shkëlzenit. Vjershat për fëmijë dhe më vonë ato për të rritur, ishin një lirim, një bredhje imagjinative drejt hapësirave, që nuk ua dija kufirin, por dëshiroja të ishin të tilla, të pafundta..

Flasshqip: Çdo të thoshte të ishe shqiptar, por edhe krijues, në Jugosllavi në periudhën para vitit 1990?

Jusuf Buxhovi: Ishin dy ndjesi që ndërruan njëra tjetrën. E para, lidhej me fëmijërinë dhe rininë, deri në vitin 1966, kur duhej të fshihje identitetin tënd dhe të përkufizojë veten me gjendjen e “pakicës”, pra të atij që për t’u bërë pjesë e “shumicës”, duhej të hiqje dorë nga vetja, të tjetërsoheshe. E dyta ndjesi, lidhej me atë nga viti 1966 e këndej, kur ndjenja e “pakicës” zëvendësohet me atë të “kombësisë”, që për kundërpeshë kishte formulën e “barazisë”, gjë që krijonte mundësi, që me anën e emancipimit, arsimimit, kulturës, për të qenë pjesë e qenies tënde. Ishte pra ky një kapërcim, kur barazia hapte dimensione të reja  për pozicionim në jetën shoqërore dhe politike edhe me identitet kombëtar…

Flasshqip: Cili është imazhi që kishit asokohe për Shqipërinë e regjimit të Enver Hoxhës, për artin, letërsinë dhe krijuesit e asaj periudhe?

Jusuf Buxhovi: Kishte dy imazhe për Shqipërinë. I pari, kishte të bëjë me shtetin amë, me diçka që mbante gjallë ndjenjën e të qenit shqiptar dhe pjesë e një historie të përbashkët, që ishte ndarë dhunshëm, por herdo kur duhej të bashkohej. Imazhi i dytë, kishte të bënte me krijimtarinë artistike në përgjithësi, veçmas muzika, me të cilën komunikohej nëpërmes valëve të Radio Tiranë e më vonë edhe të Televizionit Shqiptar (ndonëse me pengesa), ku përthithej ndjenja e të qenit shqiptar, jashtë kundrimeve ideologjike. Më vonë, në vitet e shtatëdhjeta, këtë ndjenjë filloi  ta plotësojë edhe letërsia si dhe bashkëpunimi kulturor midis Kosovës dhe Shqipërisë që u vendos nga viti 1972 e këndej deri në vitin 1981. Edhe pse kjo letërsi dhe arti në përgjithësi që vinte nga Shqipëria ishte socrealist, kjo nuk pengonte gjithaq që ato të pranoheshin nga shtresat e gjera. Megjithatë, në letërsi, socrealizmi, pati ndikim të vogël (te krijuesit mediokër), ngaqë shkrimtarët në Kosovë ishin pjesë e një arti të lirë, që asokohe në Jugosllavi kultivohej. Në këtë aspekt, për shumë nga  krijuesit tonë, letërsia që krijohej në Beograd, Zagreb, Lubjanë dhe gjetiu ishte model.

Flasshqip: Kur e keni vizituar për herë të parë Shqipërinë dhe cili ka qenë libri i parë i juaji i botuar në Tiranë?

Jusuf Buxhovi: Për herë të parë, Shqipërinë e kam vizituar në vitin 1970, si gazetar i Rilindjes, me detyrën që ta përcjell Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Herën e dytë, e kam vizituar Shqipërinë në vitin 1979, si mysafir i Teatrit të Operas dhe Baletit, me rastin e shfaqjes së operës “Goca e Kaçaniku”, si autor i libretit. Asokohe isha korrespodent i Rilindjes nga Boni. Libri im i parë, romani “Shënimet e Gjon Nikollë  Kazazit” i botuar në Prishtinë në vitin 1982, u botua në Shqipëri, në vitin 1985, në një tirazh prej 15 mijë ekzemplarësh. Krahas kësaj, romani u dramatizua nga Alfred Kanini (Qyteti i dënuar me vdekje) dhe për një kohë të gjatë nga Radio Tirana u luajt si radiodramë.

Flasshqip: Nga shkrimtarët shqiptarë të traditës cilët do të citonit si më të preferuarit për ju dhe cili është vendi që ka sot sipas jush letërsia shqipe në hapësirën ballkanike por edhe më gjerë, atë europiane?

Jusuf Buxhovi: Për mua Naimi dhe Fishta mbetën në maja. Ndërsa, rreth vendit që ka letërsia shqipe në kuadër të asaj ballkanike, nuk mund të them tjetër, pos që, me disa vepra të rëndësishme, ruan atë koloritin dhe veçoritë që të tjerët i shohin si botë ballkanike, ku përthyhen mentalitetet midis qytetërimeve të ndryshme dhe kryqëzohen religjionet dhe ideologjitë me pasoja të shumta tragjike…

Flasshqip: Në vitin 1990 filloi një lëvizje nën drejtimin e intelektualëve në Kosovë, lëvizje që kulmoi më themelimin e LDK, e që më pas vijoi për vite me radhë deri në realizimin e lirisë dhe pavarësimit të Kosovës. Cilat ishin sipas jush, momentet kyçe të asaj dekade të papërsëritshme për nga intensiteti dhe personazhet më të spikatura?

Jusuf Buxhovi: Ajo që ndodhi nga fundi i viteve tetëdhjetë dhe fillimi i viteve nëntëdhjetë në Jugosllavi dhe në veçanti në Kosovë, ishte pjesë e një procesi historik ndër më të rëndësishmit, i mundësuar nga rrethanat e rënies së sistemit komunist dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, që Kosovën e solli në binarët e shkëputjes nga Serbia, tek protektorati ndërkombëtar dhe së fundi te pavarësia që u shpall më 17 Shkurt 2008. Në këtë proces, intelektualët e Kosovës luajtën rol historik, meqë morën përsipër organizimin politik mbi platformën për liri, demokraci, barazi dhe përkatësi perëndimore, platformë kjo që nën drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga themelimi i saj më 23 Dhjetor 1989, politikisht u përkthye në lëvizjen që vuri në binarët historikë dy proceset vendimtare: rrënimin e komunizmit dhe shkëputjen nga Serbia, si parakushte të këtij ndryshimi të madh. Personazhe të këtij ndryshimi, ishin pjesa më e madhe e intelektualëve të Kosovës që me themelimin e LDK-së vunë në veprim këtë proces historik, ndër të cilët gjithsesi, duhet dalluar lideri i saj, dr. Ibrahim Rugova, që barti mbi vete drejtimin e kësaj kthese të madhe historike. Në këtë aspekt, si kryetar i parë i Republikës së Kosovës, i zgjedhur në vitin 1992 dhe i rizgjedhur në vitin 2002, dr Rugova ruan epitetin e  rilindasit të fundi.

Flasshqip: Le të ndalemi pak tek botimet tuaja me karakter historik, ku do të veçonim librin në disa volume të titulluar “Kosova” si dhe botimin më të fundit, “Dardania – Antika, Mesjeta”. Çfarë ju motivoi më shumë për t’i shkruar ato? Po reagimet e mediave serbe si i gjykoni?

Jusuf Buxhovi: Krahas publicistikës si gazetar i Rilindjes për shumë vite i akredituar në Gjermani si korrespodent i saj i përhershëm ku edhe në vitin 2008 kam përfunduar karrierën aktive,  jam marrë edhe me historiografi, ngaqë kam kryer studimet pasuniversitare në katedrën e historisë, ku  në vitin 1979, me temën “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane” kam marrë gradën magjistër i shkencës. Ndërsa në vitin 1980 kam marrë edhe temën e doktoraturës “Kongresi i Berlinit 1878 dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881”, që për arsye të rrethanave që sollën ngjarjet e vitit 1981, kur u rrënuan të gjitha institucionet kombëtare në Prishtinë, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Universiteti i Kosovës dhe institutet shkencore, u desh që ta kryej jashtë këtij zotimi dhe ta botoj në vitin 2012. Pra, si historian, që për vite të tëra ka kaluar nëpër arkivat gjermane, krahas këtyre botimeve, pashë të udhës që hartoj edhe historinë e Kosovës në tetë vëllime midis  viteve 2012-2018. Kjo vepër u përkthye në anglisht në SHBA dhe si e tillë trajtohet edhe si referencë literature për Europën Juglindore në universitetet amerikane. Dy viteve të fundit, vazhdova që ta elaboroj punë e filluar në “Kosova” në tetë vëllime, veçmas antikitetin dhe mesjetën si çështje të pandriçuara si duhet nga historiografia jonë institucionale në Tiranë dhe Prishtinë nga kornizat ideologjike ose edhe nga ndikimi i historiografisë serbe, që ka ushtruar në të në të kaluarën, duke ia imponuar kundrimin hegjemonist, veçmas rreth mesjetës, ku Kosova shihet “djep i shtetit mesjetar serb”, gjë që është një falsifikim historik ndër më të rëndët, por që ka pirë ujë ngaqë nuk është kundërshtuar nga historiografia institucionale shqiptare. Kundër këtyre pikëpamjeve ngrihen dy nga veprat e mia të fundit: “Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë” , që doli vjet dhe “Dardania – antika, mesjeta”, që sapo u botua.

Libri i parë, ka për qëllim që të përmirësojë gabimin e rëndë të historiografisë shqiptare që e ka përjashtuar Maqedoninë nga bota ilire, duke ua lënë grekëve, gjë që nuk është e vërtetë. Ndërsa, libri i dytë, ka për qëllim që të rivlerësojë rolin e Dardanëve dhe të mbretërisë së Dardanisë në historiografinë shqiptare, me theks të veçantë te kundërvënia ndaj qëndrimeve që vijnë nga historiografia serbe se Kosova historikisht është “themel i shtetit mesjetar serb” e me këtë “edhe qendër shpirtërore serbe”. Këtë qëndrim historiografia serbe e ndërton duke u mbështetur te Rasha dhe dinastia Nemanjane, që janë tribalë, por që ata i konvertojnë në serbë. Në shtojcën e librit, kam sjellë autorët bizantinë nga Hakokondili e deri te Kantakuzeni të cilët Rashën dhe Nemanjajt i shohin si tribalë dhe Tribali, pra pjesë të botës ilire-dardane. Kam sjellë edhe dokumente të tjera që vërtetojnë këtë tezë, gjë që historiografinë institucionale shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë e vë para përgjegjësisë ta rishqyrtojë dhe ridefinojë rolin e Rashës dhe Nemanjajve në përputhje me dokumentet meritore mesjetare dhe jo siç e ka paraqitur historiografia hegjemoniste serbe e shekullit të kaluar, e cila, me këtë përvetësim, është dashtë t’ia krijojë platformën politike shtetit serb të pranuar në vitin 1878 në Kongresin e Berlinit jashtë etnisë historike. Natyrisht që ka patur reagime të shumta nga Beogradi dhe vazhdojnë edhe këto ditë, ngaqë e dinë se po del në pah gënjeshtra e tyre, që nuk mund të fshihet më, veçmas pas botimit të këtyre veprave në anglisht që pritet të dalin nga shtypi në fund të këtij viti.

Flasshqip: Çfarë mendoni se duhet të rishikojë historiografia zyrtare e Tiranës në lidhje me historinë e kombit shqiptar në Ballkan?

Jusuf Buxhovi: Historiografia shqiptare duhet të lirohet nga diktati i gënjeshtrave serbe rreth Mesjetës dhe shqiptarëve, pastaj të rishikojë edhe ndërlidhjen me Pellazgët dhe të rikthejë Maqedoninë në kuadër të botës ilire, ku edhe e ka vendin. Ka edhe çështje të tjera ku mund të veprohet, por ajo që është vitale për ne është ridefinimi i Antikitetit dhe Mesjetës.

Flasshqip: Si e vlerësoni sot pozitën e shqiptarëve në Ballkan?

Jusuf Buxhovi: Është njëra ndër pozitat më të volitshme historike deri më tash. Dy shtete shqiptare dhe një etni në Maqedoni që ka rastin e mirë të pozicionohet  si shtetformuese.

Flasshqip: Le të ndalemi një moment tek politika e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, veçanërisht në dy vitet e fundit. A e meritojnë shqiptarët qeverisjen që kanë?

Jusuf Buxhovi: Klasa politike në Tiranë dhe në Prishtinë  gjatë dy viteve të fundit, politikisht është treguar shumë e papërgjegjshme. Ka dështuar nga aspekti diplomatik që të shfrytëzojë pozitën e krijuar në fillim të viteve të nëntëdhjetë për t’u pozicionuar si faktor i rëndësishëm rajonal dhe po ashtu, ka dështuar në planin e brendshëm të ndërtojë një shoqëri të lirë dhe demokratike. Në vend të këtyre realiteteve kemi oligarkë të fuqishëm, të lidhur me krimin e organizuar, me çka shtetet shqiptare kanë filluar të humbin imazhin në planin ndërkombëtar deri aty sa të shihen edhe si probleme rajonale!

Flasshqip: Tani i vjen radha një subjekti shumë të mediatizuar së fundmi. Zhvillimet në marrëdhëniet Kosovë-Serbi nën influencën e administratës së Presidentit Trump dhe veçanërisht marrëveshja e firmosur në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës…

Jusuf Buxhovi: Në Uashington nuk ka patur marrëveshje siç po thuhet, pos një zotimi të qeverisë së Kosovës se do t’u përmbahet atyre në raport me SHBA dhe Serbinë. Sidoqoftë, takimi i Uashingtonit është i rëndësishëm, meqë frenoi degradimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe ftohjen e raporteve me SHBA, aleatin tonë ekzistencial. Sa i përket raporteve me Serbinë, ato duhet të normalizohen, por vetëm mbi bazën e respektimit të sovranitetit shtetëror dhe assesi me pazare të ndryshme siç ishin ato që pamë gjatë dy viteve të fundit midis Thaçit dhe Vuçiçit e të  përkrahura edhe nga Rama.

Flasshqip: Në mbyllje të këtij bashkëbisedimi një temë shekullore… Ju personalisht a e shikoni të realizueshme idenë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve në Ballkan?

Jusuf Buxhovi: Bashkimi kombëtar është ideologji e shekullit të kaluar. Ajo ka dalë nga opsioni diplomatik dhe politik nga çasti që janë marrë vendimet në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Tash, mund të bisedohet dhe duhet të bisedohet për opsionin e unionit të dy shteteve shqiptare në kuadër të çatisë evropiane në përputhje me vullnetin demokratik të të dy vendeve si dhe në harmoni të plotë me Perëndimin. Çdo hapje ndryshe e kësaj çështje do të dëmtonte dy shtetet shqiptare dhe do t’i shkonte për shtat Beogradit dhe planeve të Serbisë për hegjemonizëm në rajon.

Flasshqip: Ju faleminderit dhe suksese të mëtejshme në krijimtarinë tuaj! ( Intervistoi Taulant Dedja)

Comments are closed.